Postuar më: 27 Prill 2018

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro takon homologun Bogdanović në Malin e Zi. Ura bashkëpunimin në Kulturë

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro perfundoi vizitën zyrtare në Cetinjë, Mali i Zi, ku u takua me homologun e saj, Ministrin e Kulturës, Aleksandar Bogdanović.

"Të bashkojmë forcat artistike si dhe te bashkojmë skenat tona, sepse historitë tona të përbashkëta duhen treguar- u shpreh Kumbaro në konferencën për shtyp duke shtuar se "Ky takim kryhet përpara takimit të dy qeverive tona dhe shpreh edhe njëherë vullnetin dhe angazhimin politik të institucionit që unë drejtoj për të bashkëpunuar në fushën e kulturës dhe trashëgimisë".

Në datat 24-25 prill u mbajt në Cetinje të Malit të Zi një takim i Ministrave të Kulturës të Shqipërisë dhe Malit të Zi, Mirela Kumbaro dhe Aleksandar Bogdanović, me qëllim intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e kulturës.

Ministri Bogdanović u shpreh se projektet e përbashkëta ndërkombëtare në projektet IPA apo Creative Europe do të konkretizohen me një bashkëpunim dypalësh mes Malit të Zi dhe Shqipërise, që do të nënshkruhet shumë shpejt mes dy vendeve tona.

Në takim u diskutua për intensifikimin e bashkëpunimit në nismat që tashmë janë në vijimësi si projektet IPA CBC: “HAMLET”, “MONET”, “Parku i Artit” si dhe në projektimin e bashkëpunimeve në kuadër të Creative Europe apo programe të tjera të huaja. Takimi dypalësh u konkretizua me propozime konkrete në fushën e krijimtarisë muzikore, filmit, ekspertizës në trashëgimi, etj.

“Takimi i sotëm i tejkaloi pritshmëritë tona- u shpreh Ministrja Mirela Kumbaro nga Cetinja- duhet të kalojmë në aksione konkrete, pasi artistët prej vitesh e kanë gjetur rrugën e bashkëpunimit. Të institucionalizojmë atë çfarë ata kanë arritur përmes krijimtarisë artistike”.

Drejtues të lartë të Ministrive përkatëse diskutuan për bashkëpunime konkrete që do të përfshihen në kalendarin e përbashkët 2018-2020

Bashkëpunimet konkrete do të parashikohen në një Marrëveshje të re Bashkëpunimi mes dy vendeve. Në takim u diskutua për bashkëpunime konkrete, për qendrat kombëtare kinematografike, teatrot respektive, bashkëpunime me trupat e baletit, orkestrat simfonike, ansambli i këngëve dhe valleve popullore, etj.

Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri do të vazhdojë bashkëpunimin e suksesshëm të vendosur deri më tani (Balkan Film Market etj) duke intensifikuar marrëdhëniet përmes një bashkëproduksioni me palën malazeze. Gjithashtu u diskutua për bashkëpunime mes Muzeut Marubi në Shkodër dhe Qendrës së Artit Bashkëkohor.