Postuar më: 31 Korrik 2017

“Manipulim”, ekspozita në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”

Shpikja e fotografisë nga Nicéphore Niépce më 1825 përmes proçesit të heliografisë hapi kështu “garën” për perfeksionimin e mëtejshëm të saj. Jo larg kësaj shpikjeje, do të fillonin edhe praktikat e para të manipulimit. Që herët fotografitë do të manipuloheshin duke përdorur metoda e teknika të ndryshme. Ndërhyrja direkt në shtyp, retushimi me bojë, gërvishtja e imazhit, ndriçimi artificial në dhomën e errët apo ndërhyrja në negativ, kanë luajtur një rol të rëndësishëm se si ne e kemi interpretuar apo gjykuar një fotografi, duke bërë më të rëndësishëm faktin e kryerjes së proçesit të manipulimit. Historikisht fotografitë janë manipuluar për të mashtruar, për t’ja mbushur mendjen shikuesve, për të sajuar të vërtetën e historisë apo krijuar “idhuj” të rremë. Pikëpamja artistike, satira, humori, fotografitë e “fantazmave”, fotografitë “magjepsëse”, propaganda politike dhe shtimi i portreteve të anëtarëve të familjeve apo grupeve ishin të gjitha praktika të filluara në fund të viteve 1800.  Në vitin 2013 disa negativë të panjohur më parë u zbuluan nga koleksioni i Marubëve. Fotografitë na dëshmojnë një histori të hershme të manipulimit të imazheve që në fillim të viteve 1860 në Shqipëri. Fotografia e Pietro Marubbit e vitit 1860, “Dr. Gennaro Simini”, e cila na tregon Doktor Siminin tek pozon njëherë si klient, njëherë si pacient e më pas si doktor, na bën të mendojmë që ky imazh mund të ketë shërbyer edhe si reklamë e kohës. Fotografia e portretit të Pietros vendosur në një trup më të vogël se koka dhe e vendosur në një filxhan si dhe portretet e Kel Marubit me të motrën, manipuluar mbi trupat e dy luftëtarëve ekzotik afrikanë, janë shembuj të tjerë të gjurmëve të para të zhvillimit të këtyre teknikave. Eksperimentimit me manipulimin e fotografive nuk i qëndruan pas as gjeneratat e tjera të Marubëve, Keli e Gega. Imazhet e martesës së Mbretit Zog I me Mbretëreshën Geraldinë që u realizuan më 1938 nga Keli iu nënshtruan gjithashtu proçesit të retushit me qëllim publikimin e tyre në revistat e kohës. Njëlloj si Henri de Toulouse-Lautrec tek fotografia (1892) ku pozon si artist e si model, edhe Gega na shfaqet duke pozuar brenda një fotografie në pozicione të ndryshme, në rolin e një bashkëbiseduesi me vetveten. Dy fotografitë e vitit 1927 dhe 1940 të Kelit e Gegës që paraqesin At’ Anton Kirin tek fle mbështetur herë mbi karrige e herë mbi trungje drurësh, me “fantazmën” që i rri pranë duke luajtur violinë, na tregojnë një tjetër anë të panjohur deri më tani të mjeshtërisë teknike të Marubëve. Një ndër qëllimet e retushimit ishte edhe eliminimi i “armiqve të popullit” nga fotografitë. Këtë praktikë e gjejmë edhe në vendet e tjera të bllokut lindor, si në rastin e Shqipërisë gjatë diktaturës komuniste (1944 – 1991). Me fillimin e shtetizimeve u krijuan Repartet Fotografike.

3 gusht 2017, Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”