Postuar më: 24 Maj 2018

“Legjendat Shqiptare në Novelat Grafike” Edicioni 4

Në vijim të promovimit dhe mbështetjes së trashëgimisë sonë kulturore, Ministria e Kulturës hap thirrjen për konkursin kombëtar “Legjendat Shqiptare në Novelat Grafike”, edicioni IV, një nismë novatore kjo, e kthyer tashmë në një traditë të suksesshme.

Ky aktivitet, i cili zhvillohet edhe në kuadrin e “Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti-, Skënderbeut”, synon gjithëpërfshirjen e artistëve dhe krijuesve, sidomos atyre nxënës e studentë, në shprehjen artistike inovative të temave e subjekteve, frymëzuar nga trashëgimia, historia e identiteti ynë kulturor.

E veçanta e edicionit të këtij viti qëndron se, për herë të parë ky konkurs kombëtar do të zhvillohet në bashkëpunim me Ambasadën Franceze në Tiranë dhe me Institutin e famshëm “Qyteti Ndërkombëtar i Tregimeve Vizatimore dhe Imazhit” në Angulem, Francë.

Në sajë të këtij bashkëpunimi, për pjesëmarrësit do të organizohen trajnime nga zj. Marine Blandin dhe z. Cedric Fortier, specialistë francezë e belgë të kësaj fushe, nga Instituti “Qyteti Ndërkombëtar i Tregimeve Vizatimore dhe Imazhit”, në periudhën 28 maj - 2 qershor 2018, në qytetet Korçë, Elbasan, Shkodër, Durrës, Gjirokastër dhe Tiranë, në mënyrë që ata të njihen më mirë me elementët e kësaj gjinie, në funksion të arritjes së një niveli më të lartë artistik të punimeve të tyre.

Gjithashtu, për herë të parë, fituesi i Çmimit I do të përfitojë një bursë 15 ditore trajnimi pranë këtij Instituti.

Tematika e punimeve që do të paraqiten në këtë konkurs do të përqendrohet rreth legjendave, përrallave e gojëdhënave shqiptare, origjinës së tyre, ndërthurjes së këtyre tregimeve popullore me jetën moderne, etj.

Rëndësi do t’u kushtohet  teknikave të punimit, mënyrave të shprehjes së fabulës, përshkrimit të karaktereve, inkuadrimit të narracionit, përdorimit të elementeve simbolike si mjete të gjuhës apo të komunikimit, ngjyrave, etj.

Për të edukuar vlerësimin dhe trajtimin e gjuhës, si vektor të transmetimit të trashëgimisë jomateriale ndër breza, është menduar që krijuesit të jenë të lirë të përdorin në tekstet apo narracionin e punimeve të tyre, si shqipen standarde, ashtu dhe dialektet ose gjuhët e pakicave në Shqipëri, duke përfshirë këtu dhe përdorimin e onomatopeve, si element karakteristik të novelave grafike.

Qëllimi final i këtij aktiviteti është edukimi artistik dhe gjuhësor i të rinjve përmes vlerave të trashëgimisë kulturore materiale (konteksti) dhe jomateriale (shprehja), të aplikuara në gjininë e novelave grafike, si dhe promovimi e mbajtja gjallë e vlerave së trashëgimisë kulturore jomateriale shqiptare.

Juria :

-Për vlerësimin e punimeve dhe akordimin e çmimeve të konkursit do të ngrihet një Juri Ndërkombëtare me pjesëmarrjen e Drejtorit të Institutit “Qyteti Ndërkombëtar i Tregimeve Vizatimore dhe Imazhit”, në Angulem, Francë, z. Pierre Lungheretti dhe të Drejtores së Institutit “Rene Goscinny“, znj. Anne Goscinny.

-Vendimet e marra nga Juria do të jenë përfundimtare.

Bashkëngjitur gjeni kriteret e aplikimit dhe fazat e zhvillimit të konkursit

Për cdo sqarim dhe paqartësi, ju lutemi na kontaktoni në adresën: info@kultura.gov.al