Postuar më: 26 Janar 2018

Kumbaro prezanton projektligjin e Trashëgimisë Kulturore dhe Muzetë. Leksion i hapur me studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro nisi nga Durrësi prezantimin e projektligjit të trashëgimisë kulturore dhe muzetë. Në një leksion të hapur me studentë e pedagogë të Universitetit të Durrësit “Aleksandër Moisiu” Universiteti Aleksandër Moisiu - Faqja Zyrtare , ministrja Kumbaro diskutoi me studentë të programeve “Menaxhim Turizmi Kulturor” dhe “Turizëm Arkeologjik".

Ministrja Kumbaro u prit nga rektorja e UAMD-së Znj Kseanela Sotirofski , ndërsa shoqërohej në këtë leksion të hapur nga deputetja e qarkut të Durrësit dhe nënkryetarja e Komisionit të Edukimit dhe Mjetet e Informimit Publik, znj. Milva Ikonomi.

“Projektligji i hartuar nga Ministria e Kulturës është i prekshëm, ashtu si trashëgimia e Durrësit që bashkëjeton hareshëm me vlerat e tjera të qytetit. E nisim këtë tur leksionesh nga Universiteti juaj për të shpjeguar një ndër ligjet më të plotë në ansamblin e legjislacionit shqiptar”, u shpreh para studentëve znj. Kumbaro.

Çfarë ndodh mes ruajtjes së trashëgimisë dhe zhvillimit? Kush janë shtyllat kryesore të këtij projektligji të ri dhe çfarë risish sjell ai në administrim dhe rijetëzim- ishin disa nga temat e prezantuara nga projektligji.

"Ajo që ne si Universitet, por edhe si individë, na takon të bëjmë, është mbështetja e nismave të tilla për mbrojtjen dhe vlerësimin e trashëgimisë kulturore si një kontribut kyç për ruajtjen e kujtesës sonë dhe sendërtimin e identitetit tonë kombëtar. Bota akademike mund ta bëjë këtë duke punuar ngushtësisht me institucionet e qeverisjes qëndrore dhe vendore”, u shpreh ndër të tjera Prof. Dr. Sotirofski.

Projektligji për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë që po shqyrtohet në Komisionet Parlamentare është kurorëzimi i një pune gati katërvjeçare të Ministrisë së Kulturës. Koncepte të reja, mekanizma të fortë për ruajtjen, mbrojtjen, vlerësimin dhe administrimin e Trashëgimisë Kulturore; Fond i posaçëm për Trashëgiminë Kulturore dhe partneritet për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e Pasurive Kulturore;

Për këto dhe të tjera së shpejti miratojmë në Kuvend një projektligj bashkëkohor dhe revolucionar.

Seria e leksioneve të hapura me studentë e pedagogë do të vazhdojë në Tiranë, Korçë, Shkodër e Gjirokastër.