Postuar më: 14 Prill 2018

Kumbaro në Vlorë: “ Qendra Historike shumë shpejt do të kthehet në një pol të rëndësishëm turistik”

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro ka inspektuar punimet në qendrën historike të Vlorës.

 "Pas rikonstruksionit kjo zonë do të kthehet në një destinacion të rëndësishëm për turistët. Vlora është nga polet më të rëndësishme turistike”- u shpreh Kumbaro.

Ministrja e Kultures Mirela Kumbaro ka nisur inspektimet ne qarkun e Vlores, ku së bashku me Kryetarin e Bashkisë, Dritan Leli dhe deputeten Vilma Bello ndoqën nga afër punimet në Qendrën Historike, Vlorë.

Programi i qeverisë shqiptare, që udhëhiqet nga Ministria e Kulturës, për rijetëzimin e qendrave historike dhe kthimin e tyre në pole jo veç tërheqëse për turistët por dhe për t’i dhënë hov zhvillimit ekonomik të zonës ka filluar të japë japë frytet e veta.

“Një qendër të re turistike e komerciale në Vlorë, i cili nuk është vetëm mure e fasada, por investim në  rrjetin inxhinierik e ujësjellës, bashkëpunim i bashkisë e fondacionit, me qëllim që kjo të kthehet në qendër komerciale turistike”- theksoi  Ministrja Kumbaro.

Ky projekt bëhet i mundur falë bashkëpunimit teknik dhe financiar me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, sipas të njëjtit model me të cilin është punuar për rijetëzimin e Pazarit të Korçës, të Krujës, Gjirokastrës.

Projekti parashikon restaurimin e objekteve në zemër të Vlorës, aty ku qyteti  ende ruan identitetin, me gjurmë të ndërtimeve të fundit të shekullit të 19‐të dhe fillimit të shekullit të 20‐të. Do t'i nënshtrohen restaurimit në: Rrugën “Justin Godar”, ish-pazari, “Lagjja e Hebrenjve”, klubi “Labëria” dhe ish-Sinagoga, xhamia e Tabakëve, më e madhja e qytetit, etj. Ndërsa infrastruktura nëntokësore është një projekt që do të zhvillohet paralelisht nga Bashkia Vlorë.

Ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve vazhdojnë të zbatojnë një nga politikat e rëndësishme në trashëgiminë kulturore, ku diversiteti i vlerave, kulturave dhe feve, bën pjesë në trashëgiminë që duam të ruajmë dhe  promovojmë.