Postuar më: 28 Shtator 2017

Kumbaro në Berat “Nuk duhet të kemi frikë të jetojmë brenda trashëgimisë”

Ministrja e Kulturës, znj.Mirela Kumbaro ka marrë pjesë në aktivitetet e Beratit në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë.

Pjesë e kalendarit të aktiviteteve të zhvilluara në Berat nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës është bërë edhe Presidenti i Republikës, Z. Ilir Meta.

"Trashëgimia nuk është vetëm përgjegjësi e një pushteti të caktuar, por pasuri kolektive që duhet mbrojtur nga të gjithë. Pasuritë e trashëgimisë kulturore nuk janë për t'u soditur, po për tu jetuar”, - u shpreh Kumbaro në Berat.

Më tej ministrja e Kulturës, tha se edhe në këtë mandat do të vijojë puna për ta pasur trashëgiminë motor zhvillimi të vendit, teksa theksoi se vetëm në 4 vjet numri i vizitorëve në Muzeun  Onufri është dhjetëfishuar.

“Ne nuk duhet të kemi frikë të jetojmë brenda trashëgimisë. Kjo është arsyeja pse po punojmë fort për trashëgiminë si motor zhvillimi, që do të thotë më shumë të ardhura. Në 4 vjet kemi bërë të mundur që trashëgimia të kthehet në burim ekonomie dhe sot e kemi gjashtëfishuar numrin e turistëve në Berat dhe dhjetëfishuar numrin e vizitorëve në Muzeun Onufri, ku kemi investuar dhe kemi hapur një dhomë të re me 15 ikona të reja që ndodheshin të mbyllura në bodrumet e këtij muzeu, të cilat i restauruam”, tha ministrja e Kulturës, e cila shtoi se sapo ka përfunduar dhe instalimi i biletarive elektronike në kalanë e Beratit dhe Muzeun Onufri në bashkëpunim me AADF, projekt i cili vijon me Krujën, Gjirokastrën, Apoloninë,  Shkodrën.