Postuar më: 07 Shkurt 2018

Kumbaro, leksion i hapur në Forumet UET. “Të nxisim bashkëpunimin publik-privat në trashgëminë kulturore”

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro vazhdon ciklin e leksioneve të hapura mbi prezantimin e projektligjit të trashëgimisë kulturore dhe muzetë.

Ajo ishte e ftuar në Forumet UET për të bashkëbiseduar me studentë e pedagogë projektligjin e ri për Trashëgiminë Kulturore dhe çfarë synohet të arrihet përmes tij, një takim i moderuar nga drejtoresha e shtëpisë botuese “UET Press”, Alda Bardhyli.

Në leksionin e hapur për të bashkëbiseduar me studentë e pedagogë projektligjin e ri për Trashëgiminë Kulturore dhe çfarë synohet të arrihet përmes tij, Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro u ndal në partneritetin me sektorin privat, ku përmes lehtësive fiskale të nxitet biznesi dhe donatorët për financimin në administrimin dhe rentabilizimin e trashëgimisë kulturore. Ajo përmendi krijimin e fondacioneve kulturore dhe mecenatin si forma të bashkëpunimit privat-publik, duke thënë se fondet për kulturën nuk mund të priten vetëm nga qeveria.

“E ndiej kulturën si prioritet jo vetëm si çështje krenarie apo estetike, por e gjej si domosdoshmëri ekzistenciale duke mos e konsideruar luks, por nevojë të përditshme dhe po aq e rëndësishme sa kultura e gjallë; arti, muzika, teatri, të gjitha llojet e performancave, libri, edukimi kulturor, për arsye ekonomike dhe zhvillimore të vendit është trashëgimia kulturore. Nuk është vetëm çështje katalogu kulturor, krenari kombëtare, por është pasuri kombëtare në kuptimin e aktivitetit ekonomik dhe të burimit dhe gjenerimit të të ardhurave, zhvillimin dhe emancipim të vendit dhe diplomacisë kulturore”, u shpreh ministrja Kumbaro në fjalën e saj, e cila u ndal në projektligjin e ri të Trashëgimisë Kulturore.

Duke u ndalur te buxheti i shtetit për kulturën, Ministrja Kumbaro tha se nga viti 2013-2018 ka i rritje me 28% të buxhetit, por ajo theksoi format e reja të financimit duke përmendur Ligjin për Mecenatin, një propozim i marrë nga stafi i Universitetit Europian të Tiranës. “Është një formë interesante sesi ta bëjmë të interesuar biznesin privat të financojë, formë që e kanë shumë shtete të zhvilluar; krijimi i formulave lehtësuese fiskale për nxitjen e biznesin. Nëse do të presim që fondet për kulturën të vijnë vetëm nga qeveria besoj se është betejë e humbur”, shtoi ministrja, duke pohuar se mirëmbajtja e trashëgimisë kulturore ka kosto të mëdha.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro do të vazhdojë ciklin e leksioneve të hapura mbi prezantimin e projektligjit të trashëgimisë kulturore dhe muzetë në Universitetin "Fan.S.Noli", Korçë.