Postuar më: 29 Maj 2017

Kantieri Rebirth Tirana-Love Difference/ Kumbaro: Kultura jo si luks, por si ekzistencë. Jo si fasadë por si esencë!

Në mjediset e skenës së re Turbina, mbrëmjen e 28 majit u zhvillua  ceremonia përmbyllëse e Bienales së Mesdheut, e cila u mbyll me Forumin Rebirth Tirana -  Love Difference, ( projekt i Michelangelo Pistoletto),  i organizuar për  për herë të parë në Shqipëri .  Forumi, i cili është zhvilluar në vende të ndryshme të botës nga Havana , Melburn, Milano etj, bazohet mbi 17 objektivat të  United Nation (UN),  duke i vënë ato në pikëpyetje dhe duke ngritur diskutimin se ku qëndron roli i artit dhe  i artistit në veçanti në përpjekjet për një botë më të mirë.

E pranishme në këtë event të veçantë, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro tha se arti dhe kultura edhe në një vend si Shqipëria me probleme të shumta të ekzistencës e mbijetesës, janë primare për të ushqyer shpirtin, mendjen dhe edukuar shijet.

“Kam menduar shumë gjatë se ku duam të shkojmë ne me vizionin tonë kur flasim jo veç për politikat kulturore, por ku duam të shkojmë ne me vizionin për artin dhe kulturën  jo si luks, por si ekzistencë, jo si fasadë por si esencë, duke kujtuar dhe besuar se kultura nuk është diçka që merremi me të pasi kemi zgjidhur problemet e ekzistencës, por është e përditshmja jonë. Ajo që unë unë kam konstatuar së pari është se në Shqipëri dominon kultura institucionale, që është shumë pak krahasuar me prodhimtarinë e madhe artistike që bëhet tek ajo që quhet skena e pavarur”, tha Kumbaro, e cila theksoi faktin se vetëm pas viteve 2000 kemi një përpjekje të artistëve për të krijuar hapësira të tilla arti.

Ministrja e Kulturës, më tej tha se një event i jashtëzakonshëm ishte Bienalja e Artistëve të Rinj, Mediterranea 18 , e cila e shndërroi Tiranën dhe Durrësin në një skenë  të madhe të pavarur, ku artistë nga gjithë mesdheu  prezantuan artin e tyre.  

Forumin e përshëndetën edhe Paolo Naldini drejtori i Fondazionit Pistoletto, Adriana Frissena, drejtoresha e Institutit Italian të Kulturës si dhe Valentina Bonizzi, koordinatore e Forumit Rebirth në Tiranë.

Më datë 26 maj u bë prezantimi i Forumit Rebirth nga Drejtori Artistik i Mediterranea 18, Driant Zeneli dhe lidhja midis tematikës së Bienales së Artistëve të Rinj dhe këtij projekti të Cittadellarte - Fondacioni Pistoletto, që hap një kantier social në Shqipëri, synimi i së cilit është shkëmbimi i strategjive dhe bashkimi i forcave me subjekte publike, private, individë dhe institucione të angazhuara për praktika të qëndrueshme në jetën e përditshme në fushat nga më të ndryshmet: nga energjia te ushqimi, nga prodhimi drejt dialogut ndërkulturor, nga dizajni te bujqësia, nga kultura te politika, etj.

Numri i pjesëmarrësve në Forum ishte rreth 30 persona, të cilët prezantuan fusha të ndryshme në Shqipëri, artistë, akademikë, studentë, përfaqësues organizatash jo fitimprurëse, institucionesh shtetërore dhe përfaqësues biznesesh sociale.

Qëllimi afatgjatë i këtij Forumi është të zvogëloj hapësirën që ekziston midis shoqërisë dhe institucioneve, duke i  sjell njerëzit së bashku dhe duke i motivuar të ndërmarrin projekte, në mënyrë të tillë që forumi t'i jap një input institucioneve për nevojat reale të shoqërisë.      

Gjatë hapjes u prezantuan edhe tre projekte të zhvilluara në zona të ndryshme në Shqipëri, puna e së cilave lidhet me objektivat e OKB-së. Këto projekte u prezantuan nga ARKA (Shkodër); Instituti i Kërkimeve Urbane (Tiranë) dhe Grupi ATA (Kamëz).