Postuar më: 10 Tetor 2016

Java e Dritëroit/ Hapet ekspozita agolliane. Kumbaro: Një shkrimtar i dashur për të gjithë brezat!

Ekspozita agolliane, e  çelur ditën e hënë në Bibliotekën Kombëtare, në kuadër të kremtimeve për 85- vjetorin e lindjes së shkrimtarit, sjellë për gjithë admiruesit e punës së tij krijuese  një retrospektivë të shkrimtarisë së Agollit, qysh me zanafillat e hershme poetike më 1948, për t’u zhvilluar e zgjeruar në zhanre e gjini të ndryshme për mbi 65 vjet krijimtari. Nga poezitë e para tek vëllimet poetike, nga skicat te romanet epike, nga fabulat te satira, nga reportazhi te publicistika, vepra e Dritëro Agollit shpalos njëherazi frymëzimin dhe angazhimin e autorit në sfidat e shoqërisë shqiptare, duke u shtrirë po aq e sukseshme në dy epoka.

Në ceremoninë e zhvilluar ditën e hënë, u ekspozuan për herë të parë, vargjet më të hershme poetike të botuar në vitin 1948, kur Dritëro Agolli ishte në klasën e 7-të në Bilisht të Korçës, makina e shkrimit  të tij si dhe disa fotografi të çasteve më kulmore të jetës së shkrimtarit.

Në “Ekspozita agolliane dhe ligjërata”,  të pranishëm ishin Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro-Furxhi,  drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani, akademikë, studiues e profesorë, fëmiljarë të shkrimtarit, dashamirës të kulturës si dhe lexues të Bibliotekës Kombëtare.

Ministrja e Kulturës, Ministrja Kumbaro theksoi se Agolli është ndër të paktët që mban vulën e një shkrimtari kombëtar e që mishëron gjithë vlerat. “Rrallë qëllon të kesh një shkrimtar kaq të dashur për të gjithë brezat,  për të gjitha dialektet, për të gjitha trojet dhe i dashur për të gjithë diasporën”.

Ekspozita dëshmon larminë tipike të krijimtarisë së Dritëro Agollit dhe përfshin edhe një vështrim brenda zhanreve si psh: nga poezitë e para të botuara te “Letrari i ri” dhe “Rinia” më 1948, vijohet me vëllimet e para “Në rrugë dolla” (1958) dhe “Hapat e mia në asfalt” (1961) për të mbërritur te “Pelegrini i vonuar” (1993), “Lypësi i kohës” (1995), “Vjen njeriu i çuditshëm” (1996), “Fletorka e mesnatës” (1998), “ Lutjet e kambanës” (1998), etj; nga tregimet e hershme si ato të botuara te “Zëri i Rinisë” më 1955 te përmbledhjet me tregime si “Zhurma e erëreve të dikurshme” (1984) dhe “Njerëz të krisur” (1995) deri te romanet e mirënjohura “Komisari Memo” (1970), “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” (1973), “Njeriu me top” (1975), “Arka e djallit” (1997). Ekspozita sjell në vëmendje edhe shqipërimet e tij të njohura të Eduard Bagricki më 1961, “Duart e lira” të Pol Elyar (1984), “Kënga e gëzimeve dhe brengave” të Robert Bërns në vitin 1987, por edhe cikle poetike të Janis Ricos, Aleksandër Bllok, Ana Ahmatova, etj.

Me rastin e ditëlindjes së shkrimtarit, më 13 tetor Ministria e Kulturës, ka shpallur javën e Dritëro Agollit 10 tetor-17 tetor 2016 , e cila do të ndiqet  nga një kalendar i ngjeshur me aktivete të shumta kulturore dhe akademike.