Postuar më: 03 Shkurt 2017

Gjirokastra dhe Berati qytete të UNESCO-s, shtojnë listën e pasurive kulturore me 694 monumente

Dokumentet e bashkangjitur

Ministria e Kulturës përgënjeshtron lajmin totalisht të rremë të publikuar sot në disa portale sipas të cilit është ndryshuar lista e monumenteve në Gjirokastër.

E vërteta është krejt e kundërta!

Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës, në procesin e përditësimit të listës së pasurive kulturore, si dhe në vijim të rekomandimeve të  UNESCO-s, kanë bërë verifikimin në terren të të gjitha objekteve që ndodhen brenda Qendrës Historike të Gjirokastrës dhe të të gjithë dokumentacionit arkivor.

Nga ky përditësim rezultoi se lista e inventarit fizik të objekteve që ndodhen brenda Qendrës, pjesë e dosjes së Gjirokastrës në UNESCO nuk ishte shoqëruar asnjëherë me vendimmarrje (shpallje) të monumenteve të kategorisë së dytë.

Prandaj, në fund të këtij procesi vlerësimi, Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës, në bashkëpunim me DRKK Gjirokastër,  hartuan listën e 323 monumenteve të kategorisë II që u shpallën me vendim nr.60  dt. 11.03.2016 të Këshillit Kombëtar të Restaurimeve dhe urdhër të posaçëm të Ministrit të Kulturës.

Ndërkohë më herët, me VKM nr 619 datë 07.07. 2015, është miratuar Rregullorja “Për mbrojtjen, konservimin e integruar dhe administrimin e Qendrës Historike dhe Zonës së Mbrojtur në qytetin e Gjirokastrës” që siguron mbrojtje dhe ruajtje, jo vetëm për monumente të kategorisë I dhe të kategorisë II, por për çdo objekt tjetër brenda Qendrës historike - pjesë e ansamblit arkitektonik të Gjirokastrës.

Për të gjitha këto, Ministria e Kulturës dhe Qeveria shqiptare kanë marrë vlerësimin maksimal nga UNESCO, e cila në mbledhjen e Komitetit Botëror të Trashëgimisë të datës 2 korrik 2015 jo vetëm i përgëzoi për reformat e kryera në sistemin e Trashëgimisë Kulturore por edhe vendosi të hiqte masën e cilësimit si zonë e rrezikuar për Gjirokastrën.

Gjithashtu, i njëjti proces vlerësimi dhe mbrojtjeje është kryer edhe me Qendrën historike të Beratit ku lista e monumenteve është pasuruar me 371 monumente të kategorisë II.
 
Për më shumë saktësi, theksojmë se:

-deri në vitin 2013 Gjirokastra kishte të shpallura në qytet vetëm 71 monumente duke përfshirë edhe Qendrën historike, në 2016 shpallen 323 monumente, pra  në total sot kemi në listë 394 monumente në qytet

-deri në vitin 2013 Berati kishte të shpallura në qytet 70 monumente, përfshirë edhe Qendrën historike, në 2015 shpallen 371 monumente, pra sot kemi në total 441 monumente të shpallura


 
Shprehim keqardhje të thellë për keqinformimin që i është bërë publikut dhe mbrojtësve të vërtetë të Trashëgimisë Kulturore, si dhe për mungesën e profesionalizmit nga ana e disa portaleve që kanë nxjerrë e shpërndarë një lajm të tillë të rremë.

Bashkëngjitur ju lutem gjeni dy vendimet e zbardhura, si dhe listën e detajuar të monumenteve të shpallura si të tilla për herë të parë në Qendrën historike të qyteteve të Gjirokastrës dhe Beratit.