Postuar më: 19 Prill 2018

Folku shqiptar në zemër të Brukselit. Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore në Festivalin Ndërkombëtar Kulturor “Balkan Trafik

Shqipëria do të prezantojë kulturën e gjallë në zemër të Brukselit, në sallën BOZAR, nga ku do të shpalosë ngjyrat, ritmet dhe energjinë e një vendi me identitet evropian, vetëm pak ditë pas hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Në datat 19 - 22 prill në Bruksel nis Festivali Ndërkombëtar Kulturor “Balkan Trafik”, ku këtë vit, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Shqipëria do të përfaqësohet me Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore (AKKVP).

Prej disa vitesh Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro ka theksuar fort se “Detyra e promovimit të një imazhi të favorshëm jashtë vendit i takon diplomacise kulturore. Roli i kulturës në përmirësimin apo promovimin e imazhit të vendit, është i rëndësishëm. Kemi vite që Shqipëria eksporton kulturë me cilësi të lartë”.

Me një formacion prej 17 artistësh, solistë, grupi i valleve, kompleksi vokal dhe orkestra popullore, me grupin polifonik së bashku me zërin e magjishëm Hysni (NIKO) Zela të pranishmit do të mund të udhëtojnë përmes këngë, valles dhe folklorit shqiptare, përfaqësuar nga Ansambli Kombëtar.

Programi do të përfshijë vallet më të spikatura të zonave të ndryshme, këngët polifonike deri te formacionet orkestrale në formën e kabasë, apo meloditë e pavdekshme të këngës së kultivuar.

Koncerti i Ansamblit Kombëtar, i saponderuar me titullin e lartë “Nderi I Kombit” premton sukses në këtë ngjarje madhore kulturore të vendeve të Rajonit tonë dhe më gjerë në kryeqytetin evropian. Përfaqësimi i trupës së Ansamblit Kombëtar në këtë edicion i dedikohet polifonisë shqiptare si trashëgimi e UNESCOS-s, në kuadër të 60-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në këtë organizatë.

Pjesëmarrja në këtë festival ndërkombëtar organizohet në bashkëpunim me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme si dhe përfaqësinë tonë diplomatike në Bruksel.

Koncertet e Ansamblit mund ti ndiqni në :

Salla e madhe “BOZAR Center ” – Vip Holl

(20.04 | 7PM, 00:10AM & 21.04 | 9:15PM)

Info: http://www.balkantrafik.com/new-lineup-en/