Postuar më: 08 Shkurt 2017

Fillimi i restaurimit të Kishës së Kryqit të Labovës, Kumbaro: Premtim i mbajtur për një thesar të rrallë të trashëgimisë

Një premtim tashmë i mbajtur restaurimi i një prej thesareve të rralla të trashëgimisë sonë kulturore, Kisha e Labovës së Kryqit, punimet për të cilën janë inspektuar nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Kumbaro, e cila shoqërohej nga profesor Pirro Thomo inspektoi nga afër punimet, ku u njoh edhe me problematikat që shoqërojnë restaurimin e një objekti me kaq shumë vlera, por njëkohësisht i lënë në harresë e drejt degradimit për vite të tëra.

“Është një kishë me shumë probleme për sa i përket inklinimit që ka kupola, por edhe për sa i përket vendosjes në themel. Nuk është proces i lehtë, por dua të falenderoj komunitetin dhe banorët e Labovës, me të cilët përveçse kemi qenë bashkudhëtarë për këtë projekt, janë ata që kanë meritën kryesore bashkë me Drejtorinë Rajonale të Gjirokastrës për t’u kujdesur, për ta mirëmbajtur e për ta promovuar. Meritojnë më shumë se kurrë vëmendjen e qeverisë për të sjellë në dritë jo vetëm vlerat e kishës, por edhe për të tërhequr të gjithë turistët. E pikërisht për këtë, restaurimi i kishës shkon në një plan të përbashkët me rregullimin e infrastrukturës. Ka filluar puna për rrugën, e cila do të plotësohet edhe nga pjesa e dytë, nga kthesa e Libohovës deri në Labovë. Rruga do të bëhet krejtësisht e re, dhe premtimet që u bëmë emigrantëve vjet, se rrugën do ta kenë gati për pushimet e kësaj vere, është tashmë një premtim i mbajtur”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Më tej Kumbaro tha se gjithë Bashkia e Libohovës është tashmë në qendër të vëmendjes,  ku është gati projekti për restaurimin dhe ndriçimin e kalasë së Libohvës, që është brenda një projekti më të madh atij të “itinerarit të kalave të Gjirokastrës”.

Restaurimi i Kishës së Labovës së Kryqit me një fond prej rreth 200 mijë eurosh, është një premtim i mbajtur i Ministrisë së Kulturës,jo veç për të mbrojtur trashëgiminë kulturore por edhe për zhvillimin e turizmit në këtë zonë.

Ndërhyrjet restauruese në Kishën e Labovës së Kryqit synojnë konsolidimin e objektit dhe gjithë strukturës mbajtëse të tij, që konsiston në përforcimin e themeleve dhe drenazhimin, konsolidimin dhe konservimin e muraturës dhe qemerëve, zëvendësimin e tiranta të dëmtuara apo të munguara,  restaurimin komplet të çative të hajatit dhe naosit, për të vazhduar më tej me restaurimin dyerve, dritareve, suvasë,  e deri tek ndriçimi e restaurimi i murit rrethues. Ndërhyrjet në themele do të realizohen mbështetur në sondazhet dhe  studimin gjeologjik të hartuar nga specialistë të fushës.