Postuar më: 23 Nëntor 2017

Espozita “Dhimitër Vangjeli një arkiv i shpëtuar dhe i dokumentuar” në Prishtinë

Në kuadër të kalendarit të përbashkët Shqipëri-Kosovë 2017, Ministria e Kulturës së Shqipërisë në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore dhe Bashkinë Kolonjë organizojnë në Muzeun e Kosovës, Prishtinë në datat 24 - 30 nëntor 2017 ekspozitën “Dhimitër Vangjeli një arkiv i shpëtuar dhe i dokumentuar”.

Dokumentimi shpëton thesare të trashëgimisë kulturore.

Emri i Dhimitër Vangjelit është pothuajse i panjohur në historinë e fotografisë shqiptare dhe pse fotot e tij i gjejmë të pasqyruara në botimet më të rëndësishëm që në vitet ’20-të, por mjerisht pa permendur autorin. Në regjistrat e kohës të fillim shekullit të 20-të, Kolonja nuk ka të evidentuar fotograf dhe Dhimitër Vangjeli ishte i rregjistruar si sheqerxhi. Në një foto të ruajtur, jo nga fondi i negativave, por e ristampuar, gjejmë tabelën e dyqanit, ku shkruhet: HEMBELTORE. ORENDREQES DHE FOTOCRAFIA. DIMITER K. VANGJEL. Profesionin e ushtroi prej disa dekadash, u kujdes dhe e ruajti me dashuri për të na e lënë si trashëgimi të vyer e të papërsësitshme.

Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore dispononte të dhëna se në fondin e Muzeut Historik Ersekë në fundin e viteve ’60 të shekullit të kaluar, ishin depozituar për ruajtje rreth 1300 negativë në xham të arkivit të fotografit kolonjar Dhimitër Vangjeli. Fondi i negativëve i ishte blerë familjarëve të fotografit dhe ishte marë në ruajtje nga Bashkia Kolonjë pasi rrezikonte shkatërrimin pas vdekjes së Dhimitër Vangjelit, por asnjëherë nuk u rregjistrua si fond në inventaret e muzeut apo bashkisë, askush nuk e vlerësoi apo studjoi, por mbeti i mbyllur në një valixhe të vjetër dhe arkë municionesh, dhe e njohën vetëm një grup i vogël njerëzish. Kaloi aq shume kohë sa u perhapën legjenda nëse ekziston vertet ky arkiv i çmuar apo jo.

QKIPK, në përmbushje të misionit madhor për krijimin e Inventarit Kombëtar të Pasurive Kulturore, bëri të mundur zbulimin, inventarizimin dhe rregjistrimin në databazën kombëtare të Fondit të rrallë të fotografive negativë në xham nga krijimtaria e fotografit Dhimitër Vangjelit si një nga personalitetet e artit të fotografisë të realizuar në Shqipëri. Tashmë mund të themi se ky fond është i shpëtuar dhe i sigurt dhe i përcillet publikut jo më si një legjendë urbane.

Albumi “Kolonja përmes fotografisë së Dhimitër Vangjelit”, do të krijojë për publikun shqiptar dhe të huaj mundësinë e njohjes, vlerësimit dhe popullarizimit të kësaj pasurie kulturore si pjesë shumë e rëndësishme për jetën qytetare të fillim shekullit 20-të, në një nga qendrat e zhvillimit të kulturës shqiptare për atë përiudhë.

Fotografia si dokument, pa dyshim na imponohet si burim i vlerave të shumta shumë të rëndësishme, pa marrë parasysh kufizimet e kuptueshme që i mbart me vete. E pandarë nga ambienti, individi dhe ngjarja e fiksuar, fotografia paraqet një udhëtim vizual të llojit të vet, nëpër kohë dhe hapësirë. Tematika është gjithëpërfshirëse, ku për herë të parë shfaqen foto nga negativët në xham origjinalë për bërë të njohur këtë pasuri tek banorët e Kolonjës dhe më gjerë, por pa shteruar imazhet nga pasuria e këtij arkivi të pasur dhe të papërsëritshëm.për brezat e ardhshëm. Botimi i hap rrugën studiuesve për të hulumtuar në kohë dhe për të vendosur një emër të munguar në historinë e fotografisë shqiptare të fillim shekullit të 20-të.

Kanë humbur shumë thesare të trashëgimisë dhe fotografisë shqiptare, por ende ka shumë të tjera me rëndësi të veçantë, të fshehura diku e që nuk u dihet fati. Trashëgimia kulturore është kodi gjenetik i një populli, është ajo që na përcakton cilët jemi si komb. Nëse nuk e dokumentojmë e destinojmë drejt zhdukjes. Kjo është një sfidë dhe një përgjegjësi e madhe për secilin nga ne.

 

DHIMITËR VANGJEL /Fotograf

Dhimitër Kristo Vangjeli, lindi më 08.09.1872 në fshatin Prodan të rrethit Kolonjë. Në moshë të re, u largua nga fshati për të jetuar për disa kohë në Athinë. Atje punoi e mësoi disa profesione. Kur u kthye në vendlindje hapi një dyqan të vogël në qytetin e Ersekës, mbi portën e të cilit vendosi një tabelë ku shkruhej: Hëmbëltore, Orëndreqës e Fotografia.

Në sajë të pasionit të tij për fotografinë, ai brenda një kohe të shkurtër e shndërroi dyqanin në një laborator fotografik por jo studio, që sipas trashëgimtarëve e ka zanafillën që në fillimet e 1900-ës.

Me pasionin e vizionin e fotografit dhe si njeri që e dashuronte punën e profesionin që kishte përzgjedhur, Vangjeli me aparatin fotografik në krah shëtiti në të gjithë fshatrat e Kolonjës duke u shndërruar në një person të njohur e të dashur për bashkëkohësit e tij. Si fotograf shëtitës, është ndër të paktët që ka në qendër të fotografisë jetën e pothuajse gjithë fshatrave me të gjitha ciklet e jetës, që nga lindja, pagëzimi, martesa deri edhe tek ceremonitë mortore. Fotot e tij janë pasqyrim i saktë i gjendjes së Kolonjës në gjysmën e parë të shek. XX.

Në një vështrim të përgjithshëm të negativëve xham të këtij fondi të vyer, prej afërsisht 1300 të tillë aq sa kanë mundur t’i shpëtojnë kohës, pasqyrohen në mënyrë domethënëse ndoshta gati unikale portrete individuale e familjare, çifte të sapomartuar, grupe njerëzish, vajza e djem, të rinj e të moshuar, ceremoni nga festat tradicionale të vitit për të dy ritet ortodoks e bektashinj, ceremoni dasmash e mortore, foto të kishave e teqeve shoqëruar me klerikët e tyre, shkolla me nxënësit e mësuesit, dhe manifestime me qindra njerëz duke festuar evente të festave kombëtare, luftëtarë të armatosur vendas dhe të huaj, peizazhe, etj.

Të gjithë diapozitivat në negativ xham franceze që i blinte në Korçë e Selenik, të sistemuara në kuti kartoni të cilat shprehin origjinalitetin edhe sot, i ruajti si gjënë më të shtrenjtë në shtëpinë e tij në fshatin Prodan.

Dhimitër Vangjeli ishte martuar me Dhespinën nga Borova dhe kishte dy vajza dhe gjashtë djem.

Ai jetoi deri në fund të jetës më djalin e tij të vogël Arqilenë, i cili ka merita në ruajtjnen dhe kujdesin e këtij fondi negativësh xham.

Dhimitri ndërroi jetë në Prodan, më 1 prill të vitin 1957 në moshën 85 vjeçare. Pa më të voglin dyshim që pasioni i tij i fotografit është një vlerë e shtuar për Kolonjën dhe Kolonjarët. Me anë të fotove të tij, qartas ky album do tregojë dhe flasi me gjuhën e fotografisë për ato vlera të jashtëzakonshme që mbart krahina e Kolonjës.