Postuar më: 08 Maj 2017

EDICIONI i IX i “AULONA INTER FOLK FESTIVAL”

Prej datës 11 deri në 13 maj 2017 në qytetin e Vlorës zhvillohet edicioni i IX i Aulona Inter Folk Festival.

 Starton në datën 11 maj, në skenën e sheshit “Pavarësia” në Skelë  dhe mbyllet në 13 maj, ditë kur në qytet do të kulmojnë veprimtaritë e hapjes së sezonit turistik “ Vlora 2017”, organizuar nga Bashkia Vlorë.

Për  3 mbrëmje me radhë, në datat 11, 12, 13 maj 2017, Vlora do të jetë nën mbretërinë e folkut europian, duke përcjellë këngët dhe vallet folklorike që vijnë nga Çekia, Bullgaria, Bjellorusia, Sri Lanka, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Shqipëria.

Festivali organizohet nga Qendra Kulturore “ Aulona” Vlorë, me mbështetjen kryesore të Bashkisë qytetit të Vlorës si dhe Ministrisë së Kulturës e donatorë të tjerë.

Festivali Aulona Folk vazhdon të mbetet një manifestim i jashtëzakonshëm i folkut europian e më gjerë si dhe një një promovim i rrallë i  hapjes zyrtare të sezonit turistik  të Vlorës.

 Një gërshetim i bukur i turizmit kulturor me turizmin natyror të  rërës e ujit të detit.

Edicioni i Parë i këtij Festivali është mbajtur në vitin 2009 duke shënuar të parin festival nderkombëtar folku në hapësirën mbarëshqiptare.

Për nga standartet që realizon, gjeografinë dhe diversitetin e grupeve, nivelin e zhvillimit në të gjitha planet ky festival prej edicionit të dytë është kualifikuar nga CIOFF duke u bërë pjesë e kalendarit botëror që ky institucion prestigjioz kulture organizon në çdo vit kalendarik.

Në tetë edicionet e zhvilluara kanë marrë pjesë rreth 70  ansamble nga vende të dryshme të Europës me mbi 2300 festivalistë.

Festivali ndan si trofe  “Kupën e Festivalit” e cila deri tani ka shkuar në Sllovaki, Kroaci, Bullgari, Itali, Kosovë, Turqi, Poloni dhe në Tiranë kur fitues është shpallur Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore. 

President Nderi i Edicionit të 9 – të do të jetë Akademik Muzafer Korkuti, Kryetar i Akademisë së Shkencave.

  11, 12, 13 maj 2017, Skelë, Vlorë