Postuar më: 13 Shtator 2017

E drejta e Autorit: "Ministria e Kulturës afron librin për njerëzit që nuk shikojnë dhe me aftësi të kufizuara"

Shqipëria merr pjesë në tryezën e përbashkët të vendeve anëtare të Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO) për thellimin e bashkëpunimit për rafitikimin e traktatit të Marakeshit dhe Traktatit të Pekinit. 
Traktati i Marakeshit synon fundin e "urisë së librit dhe veprave artistike" për njerëzit që nuk shikojnë dhe me aftësi të kufizuara.

Ky takim u zhvillua në Moskë në datat 11 dhe 12 shtator, i organizuar nga Wipo dhe Rospatent.

Qëllimi i këtij takimi të nivelit të lartë është promovimi i këtyre traktateve me impakt të drejtëpërdrejtë tek qytetarët me nevoja imediate për të aksesuar librin në format më të fundit të teknologjisë si dhe bërjes pjesë të një rrjeti ndërkombëtar të bibliotekave nëpermjet internetit.

Ministria e Kulturës paraqiti një përmbledhje të zbatimit të reformës së nisur vitet e fundit, miratimi dhe zbatimi i ligjit të ri për të drejtën e autorit, situatën rregullatore mes agjencive dhe biznesit për tarifat e shpërblimit si dhe hapat e mëtejshme për sportelin unik dhe ndërgjegjësimin e artistëve dhe përdoruesve mbi të drejtat pasurore dhe morale mbi produktin intelektual.

Për këtë pala shqiptare angazhohet në hartimin e një draft plani nën asistencën teknike të WIPO-s për të vazhduar më pas me celjen e diskutimeve me grupet e interesit, Bibliotekës Kombëtare dhe atyre nëpër bashkitë e vendit dhe institucioneve përgjegjëse. E rëndësishme është që procesi i konsultimit publik të jetë sa me gjithëpërfshirës dhe të sensibilizojë këdo që mundet në jetësimin në praktikë të aksesit të këtyre kategorive në produktin letrar, artistik e shkencor. 
Traktati i Pekinit mbetet një dokument kompleks dhe i rëndësishëm në perspektivën dhe qartësimin e marrëdhenieve mes producentëve dhe interpretuesve si dhe tranferimin e të drejtave dhe skemat e shpërblimit. Ky traktat kërkon hapjen e një debati mes palëve dhe institucioneve duke u udhëhequr nga konteksi rajonal i vendeve të BE-së për aderimin dhe zbatimin e tij në vendin tonë.