Postuar më: 17 Maj 2017

Dita Ndërkombëtare e Muzeve- Hyrje falas në të gjithë Muzetë Kombëtarë

Që prej vitit 1977, më 18 maj në të gjithë botën festohet Dita Ndërkombëtare e Muzeve. Kjo datë është vendosur prej Këshillit Ndërkombëtar të Muzeve – ICOM, që funksionon pranë UNESCO-s.

Komiteti Këshillues i ICOM nga viti 1992, përcakton një temë të veçantë që lidhet me përkujtimin e kësaj dite e cila synon të nxisë  brenda shoqërisë debatin që ka të bëjë me çështjet e muzeut.

Kjo datë është një mundësi më shumë për punonjësit e muzeve që përmes kontakteve me publikun e vizitorët të dëshmojnë përpara tyre sfidat me të cilat ndeshen muzetë në mënyrë që ato të mbeten ashtu siç e përcakton edhe ICOM “një institucion në shërbim të shoqërisë dhe zhvillimit të saj”

Një përshkrim mbi slloganin e ICOM-International për vitin 2017.

Muzetë si mjete për krijimin e komuniteteve paqësore,

Bashkësia mbarëbotërore e muzeve feston çdo 18 maj Ditën Ndërkombëtare të Muzeve.. 

Tema e Ditës Ndërkombëtare të Muzeve për vitin 2017 është; Muzetë dhe historitë  tabu (ose historitë e kontestuara  apo historitë e debatuara): Të thuash të pathënën në muze ose të thuash të paimagjinueshmen.

Kjo temë përqëndrohet në rolin e muzeve, të cilët duke punuar në dobi të shoqërisë, shndërrohen  në pika kyçe  për nxitjen e marrëdhënieve paqësore mes njerëzve.   Në këtë mënyrë   nënvizohet fakti se  pranimi i historive që ngjallin kundërshti është hapi i parë në krijimin e një  të ardhme të përbashkët nën flamurin e pajtimit. Kjo inkurajon muzetë  të luajnë një rol aktiv përmes një qasje paqësore në trajtimin e  historive  traumatike duke nxitur ndërmjetësimin  dhe pikëvështrimet e ndryshme.

Ftohen institucionet kulturore  në botë ti bashkohen kësaj dite, duke u përqëndruar tek mënyra për të  krijuar një vision të përbashkët për një të ardhme përtej historive tabu dhe drejt një mirëkuptimi më të mirë me njëri tjetrin.

Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve ( ICOM) e krijoi Ditën Ndërkombëtare të Muzeve në 1977 për të rritur ndërgjegjësimin publik  mbi rolin e muzeve në zhvillimin e shoqërisë dhe që prej atëherë ka përfituar nga ky moment për të vazhduar më tej këtë nismë. Në vitin 2016  Dita Ndërkombëtare e Muzeve shënoi një rekord pjesëmarrje të më shumë se 35,000 muzeve që organizuan aktivitete  në më shumë se 45 vende të botës.

18 maji merr një rëndësi të veçantë për Ministrinë e Kulturës, në kuadër të angazhimeve për të rijetëzuar trashëgiminë kulturore, përmirësuar infrastrukturën muzeore në vend përmes ngritjes së muzeve të rinj me qëllim rritjen e vizitueshmërisë në të gjitha sitet kulturore.

Nëpërmjet aktiviteteve të kësaj date, ne dhe muzetë i dëshmojmë publikut sfidat për të mbetur një institucion në shërbim të shoqërisë dhe zhvillimit të saj.

Kliko më poshtë për të parë kalendarin e planifikuar të aktiviteteve:

Kalendari aktiviteteve