Postuar më: 08 Shtator 2014

Creative Europe Desk - Albania

Ministria e Kulturës ka nënshkruar në Qershor 2014 marrëveshjen për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin e ri të Bashkimit Evropian për sektorin kulturor dhe krijues “Creative Europe-Evropa Krijuese”.

Në kuadër të nën-programit Kultura dhe pikërisht thirrjes për projekt propozime në fushën e Projekteve të Bashkëpunimit Evropian (European Cooperation Projects) me afat aplikimi datën 1 Tetor 2014, Ministria e Kulturës ka kënaqësinë t’ju ftojë të merrni pjesë në një takim informues dhe konsultues.

Prioriteti i kësaj thirrjeje është forcimi i kapaciteteve të sektorit kulturor dhe krijues, përmes promovimit të lëvizjes së veprave dhe platformave kulturore dhe  përmirësimit të aksesit ndaj krijimeve evropiane kulturore, krijuese dhe fuqizimit të audiencës si dhe forcimit të inovacionit dhe krijimtarisë në fushën e kulturës. Aplikuesit potenciale mund të jenë organizata publike, apo privatë me status juridik, që punojnë në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore dhe operojnë në tregun shqiptar prej të paktën dy vitesh.  Individët nuk mund të aplikojnë.

Në këtë takim do të marrë pjesë stafi i Creative Europe Desk-Albania, një strukturë e brendshme e Ministrisë së Kulturës, e cila promovon dhe mbështet aplikuesit potencialë për prezantimin e mundësive të reja për të përfituar nga ky program; eksperti si dhe përfaqësues të disa organizatave të cilët kanë fituar në thirrjet e mëparshme të programit.

Ky takim mendohet të jetë një mundësi konsultimi dhe bashkëbisedimi me subjektet e interesuara shqiptare dhe ekspertin, i cili do të jetë i pranishëm gjatë eventit për të dhënë asistencën e duhur teknike në përgatitjen e projekt – propozimeve të suksesshme për këtë fushë si dhe prezantimin nga CED – Albania të projekteve të cilat janë duke u përgatitur nga organizata evropiane dhe kanë shprehur interesin për të pasur partnerë shqiptarë.

9 shtator 2014, ora 10.30 – 13.00 në sallën “Tefta Tashko” në Ministrinë e Kulturës