Postuar më: 02 Tetor 2017

Balkan Film Market, dritarja europiane e kinemasë 20 vjet Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri

Qendra Kombëtare e Kinematografisë në 20 vjetorin e krijimit të saj në bashkëpunim  me Ministrinë e Kulturës, Creative Europe  hap në Tiranë edicionin e parë të forumit Balkan Film Market, një aktiviteti i rëndësishëm për Shqipërinë,  por edhe për të gjithë Ballkanin dhe politikat e programit evropian “Creative Europe”.

Në fjalën e hapjes së BFM, ministrja e Kulturës  znj. Mirela Kumbaro u shpreh se “Kultura është një pasaportë që i kapërcen kufijtë më lehtë se çdo angazhim tjetër. Ishte një ogur shumë i mirë, që ish- Presidenti i Komisionit Europian Emmanuel Barroso, përuroi me Shqipërinë statusin e vendit kandidat për në BE, duke zgjedhur “Marrëveshjen me Shqipërinë për Europën Krijuese”, si kurorëzim të këtij statusi. A thua ai konfirmoi kështu thënien tashmë proverbiale të Jean Monet, një nga baballarët themelues të Bashkimit Europian, që na i la për testament, “Sikur ta bëja Europën nga e para do ta nisja nga Kultura”.

Krijimi i Balkan Film Market  zhvillohet me synimin të përfitojnë të gjithë kineastët e rajonit duke u krijuar kushtet për t’u njohur dhe bashkëpunuar.

B F M është një platformë në shërbim të kineastëve,  producentëve, zhvillim  workshope dhe shkolla e pjesëmarrje në festivale.

Drejtori i QKK-së Ilir Butka në ceremoninë e hapjes përmendi interesin e Shqipërisë në bashkëprodhime rajonale dhe nxitjen e mëtejshme të bashkëpunimit me Italinë përmes Anica Film dhe Apulia Film Comission. “Mundësinë e realizimit çdo vit të një fokusi të veçantë për vendet partnere që kanë një industri më të zhvilluar se ne. E kam fjalën për Italinë e cila ishte në fokusin e këtij viti dhe nëpërmjet së cilës ne mundohemi të realizojmë atë lloj hapje që ne natyrshmërisht e kemi realizuar. Kemi realizuar 25 filma me Italinë pa patur asnjë shtytje dhe kontribut nga shteti” tha zoti Butka.

Në ditët e forumit Balkan Film Market, Media Desk Albania e Programit të Bashkimit Evropian “Evropa Krijuese”, do të mbajë Takimin Rajonal Ballkanik të Media Desks Balkans. Përgjatë një jave do të diskutohet për : bashkëpunimin rajonal, gjetjen e mundësive të rritjes së partneriteteve,  opinioni i aplikantëve shqiptarë dhe ballkanas në lidhje me kriteret e thirjeve për propozime,  sukseset dhe dështimet e aplikantëve në këtë program,  politikat e BE -së në lidhje me zhvillimin kinematografik dhe audiovizual në Ballkan dhe Shqipëri .

Takimet do të zhvillohen me përfaqësues nga sektori kinematografik dhe audiovizual Ballkanik dhe Shqiptar, do të mbahet në disa panele diskutimi përgjatë gjithë ditës, duke ofruar për profesionistët e sektorit një pamje më të gjerë të mundësive që ofron programi Evropa Krijuese për sektorin kinematografik dhe atë adudiovizual në Ballkanin e Perëndimit si dhe në Shqipëri.

 

Në Takimin Rajonal Ballkanik marrin pjesë drejtuesit e Media Desk të Shqipërise, Serbisë, Kroacisë, Malit të Zi, Bosnjes, Sllovenisë, Maqedonisë, Greqisë, Italisë, së bashku me drejtuesit e Qendrave Kombëtare Kinematografike të këtyre vendeve, si dhe përfaqësuesja e Komisioni Evropian, Znj. Ase M. Meyer : Oficere për Politikat audiovizive pranë Drejtorisë së Përgjithëshme të Komunikimit, Rrjeteve, Përmbajties dhe Teknologjisë. “Policy Officer. Directorate-General for Communications.Networks, Content and Technology”.

Balkan Film Market e vendos Shqipërinë për herë të parë në hartën rajonale të organizimit të nje aktiviteti ambicioz në fushën e industrisë së filmit.

Forumi do të mbahet në Tiranë në datat 2-7 tetor 2017.