Postuar më: 02 Shkurt 2018

Fjala e Ministres së Kulturës, znj. Mirela Kumbaro në prezantimin e programit “100 fshatra”

“Kultura si burim për zhvillimin ekonomik rural nëpërmjet ngjyrave të trashëgimisë

 

Koço Thomollari nga Rehova (një ndër 100 fshtatrat e këtij programi, në bashkinë e Kolonjës) tregon:

“Më kontaktoi një miku im pasi donte të sillte 4 turistë francezë. Nuk doja t’i pranoja, por pas këmbënguljes, u dorëzova.

I prita si njerëzit e shtëpisë dhe nga ai moment di të them se në fshat nisën të vijnë turistë njëri pas tjetrit. Tani pres 6 turistë në natë dhe, si unë, janë edhe 7 familje të tjera që presin turistë”

 “Turistët kërkojnë kushtet normale të një banesë, aspak luks, janë të kulturuar dhe na respektojnë. Momentet më të veçanta janë ato të vakteve. Pasi bashkëshortja u shtron tryezën, ata nuk pranojnë të nisin të hanë nëse edhe ne nuk ulemi me ta. Ky u kthye në zakon në të gjithë fshatin.

Gatimet janë nga më të ndryshmet, por kryesisht u gatuajmë bamjet me mish në furrë, pasi në Francë bamja nuk njihet fare. Në fillim e shohin si me çudi dhe më pas përfundojnë duke thënë fjalët më të mira. Me ta ndihemi vëtet mirë, janë të edukuar dhe krijojnë lehtësisht një atmosferë familjare”.

Rehova është padyshim një dashuri kulturore, është fshati më urban ndoshta ku Qendra Historike, ruan vlerat urbanistiko – arkitektonike të fshatit, duke përfshirë zonat e gjelbërta dhe banesat tradicionale që janë ngritur në formë spirale rreth kishës së Shën Kollit ndërtuar në vitin 1820 në qendër të fshatit, me një rrjet rrugor të shtruar me kalldrëm si një kompozitë përsosmërisht estetike.

Ndërtimet në përgjithësi janë  2-katëshe dhe janë ndërtuar me mure guri, detajet estetike të të cilave hyjnë në një garë sfiduese me portat me hark dhe sofatë me gurë te gdhendur e simbole mitologjike që u rrinë rreth si spaleta intriguese.

Në studimin e kryer për Qendrën historike, Ministria ka krijuar itinerarin e portave të Rehovës, para të cilave ia vlen të ndalesh. Por përtej të cilave zahiretë, lakrori, saçi, ritualet, janë një festival më vete që rrëmbejnë çdo zemër e çdo mendje.

Nga ana tjetër ndoshta pak e dinë, që ikonostasi i mrekullueshëm që sot soditet në brendësi të Muzeut të Artit Mesjetar të Korçës, në fakt vjen nga kisha e Shën Kollit në Rehovë, i cili, siç tregojnë rehovarët, është realizuar me drurin e veçantë të arrës së njërit prej djemve të fshatit, i cili në pamundësi për të kontribuar me para si shumë të tjerë kurbetlinj nga Rehova, i dhuroi kishës pasurinë e tij: pemën e arrës së shtëpisë, që sot është përjetësuar në një vepër arti të jashtëzakonshme në një nga muzetë më të jashtëzakonshëm që kemi.

Ky është një vetëm një rast ku bashkëjetojnë bujqësia, arti, kultura, historia dhe arkitektura, si një bashkim jo dhe aq i rastësishëm, për të krijuar potenciale turistike, zhvillimore dhe ekonomike që justifikojnë investimin qoftë publik, por edhe duhet të tërheqin vëmendjen e investitorëve privat për zhvillim të integruar.

E tregova këtë rast për të dëshmuar se

 

  • Investimet publike, investimet e donatorëve dhe investimet private, të kombinuara në projektet për zhvillim të qëndrueshëm në sitet e trashëgimisë janë të domosdoshmë për të tilla modele

Sot që flasim kemi në proces ose sapo të përfundura në këto 100 fshatra

Restaurimi i 13 monumenteve , kisha, ura, banesa tradicionale

  • Hartimi i projekteve të restaurimit dhe rijetëzimit të objekteve monument kulture;

Hartimi i  rreth 65 projekteve;

Po krijohen itineraret kulturore, si rrugët e Besimit (kishat e xhamiat) dhe rrugët e Kujteses me stacione historike, si Borova ( për të ndenjur te e njëjta bashki), do të jenë pjesë e kësaj harte,

 

  • Projekte të jetëzimit dhe shfrytëzimit të strukturave historike rurale dhe strukturave të tjera për përdorime në shërbime dhe aktivitete tradicionale;

Jetëzimi i dy Qendrave Historike në fshatin Dhërmi dhe Vuno.

Restaurimi i 252 objekteve në Dhermi dhe 182 objekteve në Vuno.

Vlera e kontratës së Vunoit: 446,412,574 leke; 3.5 milionë euro

Vlera e kontratës së Dhërmiut: 577,848,135 leke; 4 milionë euro

 

  • Evidentimi i zonave për ruajtjen e peizazhit rural. Me fokus “Peizazhet kulturore si identitet i vendit tim”, territor me identitet kulturor dhe historik;

Analizë për shpalljen e Qendrës Histroike të Linit; ndërkohë që pjesa shqiptare e Liqenit të Ohrit është tashmë në fazën përfundimtare për t’u futur në listën e trashëgimisë botërore në UNESCO

 

Trashëgimia jo materiale - Mbështetje e projekteve artistike

Me synim gjallimin e jetës kulturore dhe sociale, fondi i Ministrisë së Kulturës për projektet do të mbështesë propozime të paraqitura nga organizata kulturore, nga komuniteti, për projekte që zhvillohen ekskluzivisht ose kryesisht në 100 fshatrat.

Thirrja për mbështetje me fonde publike hapet në fund të vitit (dhjetor) dhe mbyllet ne fillim të vitit tjetër (janar) dhe parashikon kalendarin aritstik të muajve mars-dhjetor.

Financohet dhe mbështetet një gamë e gjerë aktivitetesh kulturore, që përfshijnë:  projekte dhe evente; prodhim artistik; hulumtim dhe zhvillim; zhvillim/zgjerim i audiencave; aktivitete edukuese; aktivitete që promovojnë trashëgiminë jomateriale; projekte artistike e kulturore shëtitëse.

 

Edukimi përmes kulturës – programe kulturore – janë një tjetër qasje që duam të zhvillojmë posaçërisht për këtë program

 

 Krijimin e një rrjeti kombëtar të artizanatit

  • Të tezgjahut - në përpunimin  e pëlhurave dhe leshit. Ky rrjet artizanësh do t’i shërbejë shkëmbimit të eksperiencave në teknikën e thurjes apo motiveve dekorative si dhe vënien në pah të elementeve të krahinave të ndryshme të Shqipërisë.
  • Krijimin e kurseve për të rinjtë mbi mjeshtërinë e punimit të drurit me motive të artizantit shqiptar. Kurset mund t’u bashkangjiten si praktikë shkollave të cilat mbajnë statusin e qendrës komunitare, shkollave profesionale apo ngritjes së qendrave të posaçme.

 

 Hartimin e një kalendari me festat tradicionale të 100 fshatrave

Evidentimin e riteve për t’i propozuar si momente të përshtatshme për të vizituar këto zona si dhe për t’i ardhur në ndihmë operatorëve turistikë. Dhe që do të publikohet e animohet fuqishëm që këtë sezon.