Postuar më: 24 Maj 2017

Fjala e Ministres së Kulturës, znj. Mirela Kumbaro në përurimin e Muzeut Kombëtar të Përgjimeve, “Shtëpia me Gjethe”

“E shkuara nuk ka vdekur, madje ajo as ka kaluar.”

Më erdhi e m’u përplas në fytyrë kjo fjali e Faulkner-it  kur në korrikun e 2014 kapërcyem për të parën herë atë prag, bashkë me Elisabetta Terragnin dhe Bashkim Shehun.

Elisabetta mbase s’kuptonte gjë, por ajo ndjeu si ndryshoi fytyra ime dhe si u trondit ajo e Bashkim Shehut, kur hynim nga zyra në zyrë dhe preknim objektet, letrat, regjistrat,  kur hapëm hartat origjinale që tregonin  me laps blu dhe të kuq – nga ato që ne përdornim në shkollë fillore, - se ku kalonin kabllot e përgjimit në qytet, ku ishin vendosur kamerat, kur pamë se si na përgjonin, se si njeriu që kisha kryqëzuar në rrugë dikur, nuk ishte dhe aq i rastësishëm, se si më pushtonte frika kur kaloja në këtë trotuar dhe - kur filluam madje të besonim dhe legjendat që vetë pushteti i censurës përhapte për të bërë qëllimin më të fortë se mjetin,- ndërroja trotuar se besoja që po më përgjonin mendimet.

Unë kujtoja se e kisha kapërcyer frikën, terrorin, që më ngjallte mua, dhe gjithë shqiptarëve që jetuan diktaturën sistemi i Sigurimit. Por dita kur hyra këtu për të parën herë në jetën time, më vërtetoi pikërisht çka Faulkner thotë.

Jo vetëm kaq, por është iluzion të mendosh se hija e veglës famëkeqe të diktaturës, Sigurimi i shtetit, mund të zhdukej me rënien e komunizmit.

Vitet ‘90 e hoqën zvarrë atë me përgjime politikanësh e lojë dosjesh, me emra spiunësh e shantazhe individësh, dhe e gjitha kjo, me një vullnet të pastër nga politika e pas ’90-ës.

Unë i përkas brezit që u rrit me këshillën e përditshme “mos fol se dhe muret kanë veshë” dhe me histori përgjimesh e çimkash (për të rinjtë që s’e njohin: çimka është jo vetëm gjallesa, por edhe mikrofoni përgjues që na futej në tru më keq se çimkat në trup).

Në një qytet ku të gjithë përgjonin të gjithë e ku, siç kam lexuar, - një përgjues i pakënaqur në vitet ‘70, qahej se “në çdo vend të botës spiunët i gjen me para, në Shqipëri i gjen falas, prandaj vuajmë kaq shumë..”, - roli famëkeq e keqbërës i sigurimit të shtetit nuk ishte shaka.
Historia urbane e kësaj ngrehine është në vetvete një dëshmitar elokuent i historisë së Shqipërisë së gjysmës së dytë të shekullit XX.

Një godinë që u ngrit si klinikë obstetrike për t’i dhënë jetë njeriut, i mori atij për 40 vjet mendimin, fjalën, shpirtin madje dhe jetën.  Ky ishte “njeriu i ri” që farkëtoi Diktatura.

Kanë kaluar 27 vjet nga rënia e diktaturës.

Në vitin 2003 kjo shtëpi që deri aty përdorej për zyra administrate nga Shërbimi Informativ Shtetëror, u braktis nga shteti, duke humbur fatkeqësisht ndoshta dhe një pjesë të autenticitetit të saj.

Por që në fillim ne treguam qartë vullnetin për t’i hapur dosjet e gurta e ato prej letre, shtëpitë e mistershme e misteret e kyçura nëpër bunkerë e tunele, sepse ne s’kemi gjë për të fshehur, sepse duhet të mos harrojmë, sepse duhet të mësojmë, sepse duhet t’i tregojmë, duhet të edukojmë dhe duhet të na shohin me historinë tonë jo të zakonshme. Prandaj, hapësirat tabu i hapëm e do të vazhdojmë t’i hapim, ndërtesat e harruara e të rrënuara po i rikonceptojmë. Eshtë kjo pjesë e strategjisë sonë muzeale, edukative, krijuese dhe turistike.

Në 2014 Shtëpia me Gjethe që në fakt dhe emrin e koduar e kishte “Gjethi”, i kaloi në administrim Ministrisë së Kulturës.

Me vendim të Këshillit Kombëtar të Muzeve ndërtesës iu dha statusi shkencor “muze” dhe më pas me Vendim të Këshillit të Ministrave, “muze kombëtar”.

 Qysh atëhere, MK ka punuar për përgatitjen e projektit, të konceptit, të itinerarit dhe të planit për restaurim hulumtim dhe muzealizim. Eshtë punuar gjithashtu për mbledhjen e pajisjeve, dëshmive personale dhe dokumentare, të objekteve, të aparateve të të gjitha markave e origjinave, si për të treguar se në ato kohë izolimi, dukej se Shqipëria komunikonte me botën më shumë përmes prangave të censurës dhe jo me lirinë e fjalës.
Një ekip profesionistësh ka punuar pa rreshtur me Ministrinë e Kulturës dhe dua të falenderoj bashkëautorët që e ngritën projektin në këmbë, që e dizejnuan, gërmuan në arkiva e dosje për plot tre vjet për të mbërritur në muzeun shkencor të një cope Shqipërie të diktaturës, aq sa mund të shihet nga dritaret e kësaj shtëpie.

Dua t’i shpreh mirënjohje të thellë e me përulje Elisabeta Terrangit si arkitekte dhe drejtuese deri në ditën e fundit të një ekipi jo të lehtë, sepse standardin e kanë të lartë, Bashkim Shehut, Fabian Katit, Artan Putos, Gezim Qendros, Daniele Ledës nga studio Terragnit, por edhe Eduard Zaloshnjes, Agron Tufës, Kastriot Dervishit, Elidon Gjikës, Bledi Laços.

Të gjithë bashkë kemi përjetuar jo pak emocione e tensione por edhe vështirësi në realizimin e këtij muzeu të pashoq. Dua të falenderoj Ambasadën gjermane dhe profesionistët e rrallë gjermanë që na dhanë një ndihmë të cmuar  e na ndriçuan me përvojën e tyre në shumë udhëkryqe të vështira.

Pa bashkëpunimin profesional të Shërbimit Informativ Shtetëror, Arkivit të Ministrisë së Brendshme, Bibliotekës Kombëtare, Arkivës së Shtetit, ATSH, Televizionit publik, Autoritetit për informim të dosjeve të ish-sigurimit, shoqatave të ish të përndjekurve dhe miqve, nuk do të ishte plotësuar ky Muze me standarde shkencore muzeale.

Dua të falenderoj me përunjësi viktimat që pranuan të ndajnë vuajtjen për hir të Kujtesës, por edhe dëshmitarë që kanë rrëfyer historitë e përvojat e tyre duke parapëlqyer të rrinë në hije.

Në fund por jo më të parëndësishmit: Faleminderit ekipit të Ministrisë së Kulturës për pasionin dhe përkushtimin në këtë projekt që dukej si një aventurë e paarritshme! Falë jush ia dolëm!

Ky do të jetë një Muze i hapur ndaj do të mirëpresim në vazhdim çdo kontribut, çdo dëshmi e dokument, që mendoni se e pasuron tregimin e kësaj historie që sapo ka filluar të tregohet.

Rrugë të mbarë muzeut më të ri dhe më të veçantë në Shqipëri!