Postuar më: 09 Maj 2016

Fjala e Ministres së Kulturës, znj. Mirela Kumbaro në përurimin e Muzeut Kombëtar Marubi, Shkodër

Të dashur miq,

Mirmbrëma!

 

Do e filloj duke kërkuar një ndjesë të thellë, një ndjesë të thellë në emër të shtetit shqiptar, në emër të të gjtha qeverive, meqënëse më qëlloi mua të jem në këtë moment këtu.

Kërkoj ndjesë publikut, - të vendit e të huaj, që ky muze hapet vetëm në vitin 2016, ndërsa do të duhej të ishte hapur në mos dekada, vite e vite më parë.

Kërkoj ndjesë artit të fotografisë që artistët e fotografisë shqiptare, nuk i janë shpalosur publikut siç e meriton historia e artit,  ndonëse Shqiperia, si te gjitha vendet europiane, rriti fotografët e saj qe shihnin me thelle se pjesa tjeter e shoqërisë.

Kërkoj ndjesë familjeve të fotografëve dhe shkodranëve që arkiva e jashtëzakonshme e qytetit të tyre qendronte në harrim, në kushte shkatërruese për të, pa sistem, pa vëmendje, pa investim, pa profesionalizëm, pa politikë kulturore.

Kërkoj ndjesë shkodranëve që kjo ngrehinë që shteti e pat blerë qe ne 2010, dergjej këtu pa projekt, pa plan dhe pa mirëmbajtje.

 

Kërkoj ndjesë Shkodrës që nuk u është vlerësuar asnjëherë sa duhet burimi dhe shpirti i jashtëzakonshëm artistik dhe pasuria e madhe kulturore që i kanë falur Shqipërisë

 

Ndjesën sot e po e kërkojmë përmes punës dhe arritjes.

Ndjesa të tilla në fakt, shtetarët duhet të bëjnë plot kur shohim se kemi në Shqipërinë tonë, shumë thesarë për të shpëtuar, ruajtur, promovuar e rijetëzuar .

 

Sot është dita ku ndajmë bashkë kënaqësinë e jashtëzakonshme të mbajtjes së premtimit marrë në janar të 2014 nga Kryeministri Edi Rama, kur i treguam publikut lëngimin e arkivës dhe të premtimit të marrë në 31 mars të 2014 kur organizuam konkursin ndërkombëtar për të zgjedhur projektin më të mirë që meritonte ky thesar.

 

Punuam çdo ditë për ta realizuar.

Dhe punët e mira bëhen me miq e dashamirës të cilët do të më lejoni t’i rendis:

Ministria e Kulturës eci në këtë angazhim bashkë me projektin europian të Fondit Shqiptar të zhvillimit dhe me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit – nje trio që ka funksionuar shkëlqyeshëm që nga dita e parë.

Iu bashkuan kësaj skuadre PNUD-i me programin e digjitalizimit të Fototekës Marubi duke krijuar kështu muzeun virtual. Iu bashkua Qeveria zviceriane që mbështeti në muzealizimin e projektit.

Skuadra e Fototekes drejtuar nga Lucjan Bedeni, ekipi i realizuesve të projektit fitues i studios hollandeze Casanova- Hernandez, kuratorët që iu bashkuan, Zef Paci e Olson Lame, Kim Knoppers, të gjithë bashkë dhe secili ka kontributin e vet në këtë krenari  të vjetër e të re, të Shkodrës.

 

Faleminderit të gjithëve që treguat se Muzeu i ri Marubi është shembulli i sigurtë ku provohet proverbi “bashkimi bën fuqinë”.

 

Sot është dita të krenohemi dhe t’i dalim ballëhapur Shkodrës, siç do t’i dalim edhe kur të kryejmë punimet që kemi nisur me Bashkinë te Teatri Migjeni.

 

Jam e sigurt se vizitorët e shumtë të Shkodrës , shqiptarë ose jo, që kishin destinacion Kalanë e Rozafës, restorantet e Liqenit, parkun e Shirokës, - ( se Marubin vec me të degjuar e kishin se asnjëherë s’e kishin parë) - tash e tutje do të vijnë në Shkodër për Muzeun Kombëtar të Fotografisë Shqiptare.

Ky muze nuk është vetëm dinastia Marubi, por janë artistët e Shkodrës që nga Kol Idromeno, Jakova, Pici, Nenshati e të tjerë.  

Tashmë edhe pjesë të tjera të historisë së fotografisë shqiptare i janë bashkuar dhe po i bashkohen kësaj arkive, sepse besojnë te ne, siç eshte arkiva e pasur e fotografëve Kallfa nga Tirana, që sot ndodhet këtu, apo e familjes Mossi, që sapo na është bashkuar.

Zakonisht kur duam të kuptojmë vizitorët e kulturës në Shkodër i referohemi Kalasë.

Në vitin 2013 ka patur 8872 vizitorë në Rozafat.

Ndërsa viti 2015 shënoi 36136 vizitorë.

E pra të jeni të sigurtë se ky Muze do t’ia shtojë Shkodrës miqtë, turistët, ekonominë, dhe famën, sepse do jetë edhe Arkivë, edhe Muze, edhe vend ekspozitash të përkohshme, edhe vend promovimesh të artit bashëkohor, edhe laborator restaurimi të fotografisë, edhe vend ku do të mësohet e edukohet arti i fotografisë. Ky është objektivi ynë.

 

Nga ana tjetër: Muzeu i ri Marubi, nuk është një ishull në hartën e Shqipërisë.

Është vetëm njëri nga projektet tona të ndërtimit të muzeve dhe të promovimit të Trashëgimisë Kulturore.

Siç u takuam vjet kur hapëm Muzeun arkeologjik në Durrës, sot jemi në Shkodër.

Por shumë shpejt do të rishihemi në Korçë për një tjetër Muze të jashtëzakonshëm të artit mesjetar shqiptar, e më tej për të hapur Muzeun e Pergjimeve të Komunizmit në Tiranë, e kështu në vijim.

 

Të dashur Miq,

Ishte një kohë, dicka më pak se një shekull më parë, kur në Shqipërinë pa rrugë, pa transport, pa teatër, pa ekspozita, kishte shqiptarë që merrnin rrugën, nga qoshe të tjera të vendit për të bërë një foto në studion Marubi – këtë më rrëfente gjyshja nga ime nga Gjirokastra, tek më tregonte me krenari foton e saj e të gjyshit tim në fillim të viteve 30.

 

Sot është koha kur duhet marrë avioni, trageti, apo makina, për të vizituar Muzeun më të bukur të Fotografisë në Ballkan pa dyshim! - por edhe me krenari do të thoja, një muze dinjitoz europian

 

Mirësekeniardhur në Shkodrën e Kulturës! Qyteti më europian i Shqipërisë!