Postuar më: 07 Shtator 2016

Fjala e Ministres së Kulturës, znj. Mirela Kumbaro në dëgjesën publike për prezantimin e “Rehabilitimi i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor” dhe “Rikonstruksion dhe ndryshim Destinacioni i Ish Laboratorit të Hidroteknikës, në Qendër Arti Skena e Re”

“7 shtator ishte dita e vitit 1956 kur u krijua me vendim të Këshillit të Ministrave të kohës, Teatri Lirik i Operas dhe Baletit. Pra 60 vjet më parë.

Ishte viti 1966 kur ky Teater u vendos në atë ndërtesë që sot quhet Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Pra 50 vjet më parë.

Qysh atëhere ky institucion, më i rëndësishmi i artit skenik shqiptar nuk ka njohur ndërhyrje serioze për ta sjellë jo vetëm në parametra dinjitozë për artin që prodhohet aty, jo vetëm për publikun që i mbeti besnik këtij Teatri në të mirë e në të keq, por as për të krijuar kushtet e domosdoshme për jetën profesionale të artistëve që e kanë shenjuar atë skenë me djersët e punës dhe lotët e emocioneve që veç ju i dini.

Të gjitha ankesat dhe kritikat e bëra ndaj të gjitha qeverisjeve për harresë të kësaj krenarie kombëtare janë të drejta. Keni hak në dhé e në qiell!

Por jeni dhe të fortë dhe pasionantë sepse arti dhe artistët që kanë krijuar, kaluar e projektuar nga ajo skenë janë jo vetëm ikona të skenës shqiptare por tashmë edhe yje të artit skenik botëror.

Që nga baritoni i jashtëzakonshëm Lukë Kaçaj që iku nga kjo botë me jetën copëtuar prej diktaturës por me romancën e Fieskos nga Simone Boccanegra e Verdit në gojë, apo Skënder Selimi, koregrafi i të parës opera Traviata që përuroi krijimin e Teatrit Lirik 60 vjet më parë e deri te gjenerata e Shqipërisë së Brezit Tjetër ku shkëlqejnë solistët, balerinët, muzikantët, për të cilët kufijtë administrativë kanë humbur kuptimin.

Inva Mula, Ermonela Jaho, Saimir Pirgu, Vikena Kamenica, Gëzim Myshketa, Josif Gjipali, Eva Golemi, Armando Kllogjri, Eno Peçi, Tedi Papavrami, Shkëlzen Doli… ndjesë! Janë shumë, jeni shumë!

Dhe shyqyr që jeni shumë dhe të rinj!

Dhe më vjen shumë mirë që të rinjtë janë shtuar edhe në këto vite të fundit duke dhënë gjithë oksigjenin e tyre artistik por edhe njerëzor.

Të gjithë ata, të gjithë këta, të gjithë ju, meritoni më shumë.

Meritojnë më shumë brezat e artë dhe brezat e ardhshëm të Teatrit të dramës, që u treguan shqiptarëve të të gjitha brezave se Teatri është i rëndësishëm për endrrat. por dhe për jetën.

Ndërtesa e famshme e vjetër e italianëve të Luftës së Dytë Botërore e Teatrit Kombëtar mezi mbahet në këmbë, i kërcasin kokallat , kontraston me rininë e aktorëve që luajnë në të.

Dhe është shpresë e madhe që në këto vite aktorët e rinj janë shumicë.

Dhe jam po aq besimplotë për ta pasi vetëm në vitin 2016 janë rreth 20 projekte teatrale që fituan në garën e projekteve të vitit të ministrisë së kulturës.

Dhe nuk ndodh rastësisht që në Teatrin Kombetar, në Teatrin e Operas, në atë Eksperimental dhe në atë të Fëmijëve, janë pesëfishuar shfaqjet dhe sot frekuentohen nga disa herë më shumë publik krahasuar me vitin 2013.

Kjo është arsyeja pse qeveria vendosi të investojë dhe t’i hyjë 2 projekteve mjaft komplekse siç janë rikonstruksioni i Teatrit të Operas me vlerë investimi:

më shumë se 8 milionë e gjysmë euro dhe ndërtimi i një Teatri të ri multifunksional që do të mirëpresë pas një viti Teatrin Kombëtar me vlerë investimi 3 milionë e 300 mijë euro

Janë projekte të vështira. Më besoni! Që realizohen për të parën herë në Shqipëri, pretendues për cilësi akustike, për kushte shërbimi cilësore, për teknologji bashkëkohore, për konfort dhe trajtim dinjitoz të publikut, dhe për respekt të plotë të Artistit me A të madhe.

 

Tri studio, Ttas e specializuar vetëm në ndërtim teatrosh, studio shqiptare Atelier4 dhe Khale Akustic qe renditet ne krye të ekspertizes se akustikes skenike europiane, kanë punuar që prej 1 viti fort, duke u ndeshur me vështirësi të mëdha për shkak të gjendjes tejet të amortizuar të të dy teatrove ekzistues,  por edhe me sfidën për të shndërruar një ngrehinë si kjo ku jemi - ku dikur projektoheshin hidrocentralë e më pas plehra dhe braktisje – dhe ku sot po ndërtojmë një teatër me dy salla, me hapësira për ekspozita dhe performanca alternative.

Ju e dini më mirë pasi arkitektët kanë punuar në këshillim me ju, duke ju pyetur të gjithë ku ju pikon çatia e profesionit.

Dhe sot janë këtu për të prezantuar këto punë të paqme që qeveria ka vendosur të kryejë, siç po investon e ndërton paralelisht edhe teatrin e Korçës dhe po restauron Teatrin e Shkodrës.

 

Urojmë mbarësi këtij kantieri që sapo ka filluar punën, në pritje për të caktuar datën e kantierit të radhës në Pallatin e Kulturës!

Një gjë është e sigurt: tjetërkush i shkatërroi teatrot, tjetërkush i përdori artistët, tjetërkush e la artin e kulturën në rënie të lirë.

Në këto tre vjet ne po përpiqemi të ndërtojmë e të rikrijojmë.

Janë 4 projekte teatrore në nje vit.  Nuk është gjithçka. Mbase nuk është as shumë.

 

Por siç thoshte Nënë Tereza: Ne nuk bëjmë dot gjëra të mëdha, por mund të bëjmë plot gjëra të vogla me dashuri shumë të madhe. Dhe do i bëjmë bashkë.

 

Meqë jemi, Dua t’i them edhe një herë Bert Ndrenikës të cilin e ftova të vinte sot, tek darkonim bashkë në Ibë dy netë më parë e tek i shpjegoja projektet e reja te teatrove, që s’ka nevojë të shtrihet te dera e Teatrit për të mbrojtur tokën se do i duhet të ngjitet në skenen e teatrit të ri për të luajtur mrekullueshëm rolin e tij të radhës.

 

Punë të mbarë kantiereve të artit të  Shqiptarëve të Brezit Tjetër”.