Postuar më: 16 Janar 2018

Fjala e Ministres së Kulturës, znj. Mirela Kumbaro në ceremoninë e hapjes së Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut

"Të nderuar,

Historia e një kombi është e pandashme nga historia e kulturës së vet dhe askund më mirë se në botën shqiptare nuk do të gjenim shembullin e përsosur të frymëmarrjes së tyre të përbashkët.

Teksa ushqejnë parreshtur njera-tjetrën me lëndën e jetës reale të historisë dhe me lëndën e jetës shpirtërore e mendore që krijon e gjykon, ato përftojnë të përbashkëtën tonë të madhe: një identitet kombëtar të patjetërsueshëm, të pavarur sot e gjithmonë nga kufijtë, nga hartat, pushtuesit, pushtetet, nga fetë, nga ideologjitë, nga valët e emigrimeve, nga rrjedhat e politikës kalimtare.

Identitarja jonë qëndron e paprekur, e lashtë dhe moderne njëkohësishit, me rrënjët në zemrën e kombit, me vetëdijen e thellë që ta falin vetëm dashuritë e mëdha.

Gjergji, i biri i prijësit Gjon Kastrioti, lindi natyrshëm si pjesë përbërëse e këtij identiteti në formësim e sipër, por Historia e kombit të vet e shndërroi edhe në një prej thelbeve të tij.

Në zemrën e kombit shqiptar, Skëndërbeu jeton prej më shumë se 5 shekujsh e gjysëm, si një gur themeli pa të cilin ngrehina jonë identitare nuk do të qëndronte dot.

Teksa i kujtonte popullit të vet se lirinë nuk ia kishte sjellë ai por e kish gjetur mes tyre, ai formulonte një nga mësimet më të mëdha të historisë:

- liria vjen së pari nga zemra e më pas nga shpata. Dhe dashuria e popullit të tij për të, siç na e dëshmojnë një varg i gjatë penash të dijshme qysh prej humanzimit europian e deri më sot, ishte në radhë të parë një dashuri për lirinë, me L te madhe!

Ma do mendja se kjo ishte arsyesja pse Konica rreth një shekull më parë i kujtonte botës diplomatike që mbante në dorë fatet e Shqipërisë se “Çështja shqiptare ekziston (së paku) qysh prej 400-vjetesh”!

Sot, çdo shqiptari, i ngjan po aq e besueshme sa ç’i ngjante fort e besueshme Sabelikusit (Antoni Sabellici), historianit venedikas që vizitoi viset e Arbërisë më 1472, fakti se populli arbëror “... i mahnitur (populli) nga adhurimi i lartë i këtij burri, sikur të shikonte tek ai diçka që kalonte mundësitë njerëzore, e lartësonte kujtimin e princit të dashur me këngë solemne”.

E dëshmojnë këtë edhe Barleti, edhe Frang Bardhi, edhe Pukëvili, Hekardi, Degrandi e Hahni. Por për një shqiptar ky fakt nuk ka nevojë për kaq shumë dëshmi, sepse historia e vet kulturore ia vërteton ende sot e gjithëditën “jetën e amëshuar” të Prijësit të lirisë në trajtat e larmishme të krijimtarisë letrare e artistike të kombit.

Cili prej nesh nuk është mrekulluar nga thellësia historike e nga hijeshia estetitike e Kujtesës mirëfilli arbërore të arbëreshëve tanë të dashur?

Kush nuk u prek qoftë edhe një çast të vetëm nga nostlagjia e melankolia e poezisë së tyre?

Më lejoni të sjell këtu para jush vetëm pak nga vargjet e një prej rapsodive të botuara nga dora e De Radës, në të cilën mbërritja e arbërve të parë në “bregun e huaj” përshkruhet në mënyrën më mbresëlënëse me kthimin e fytyrave të tyre nga horizonti që fshihte tashmë përfundimisht atdheun e humbur:

« Një mall i fshehur

Iu fryhet ndë zemërët

E një lot’e bukurëz

Iu pikon nga zyzit.”

 

Elegancë e rrallë e një letërsie që buron fisnikërisht nga tragjizmi i popullit të saj, e që barabitet estetikisht më pamjet më të bukura klasike të letërsisë botërorë.

Të larguar drejt Italisë me Arbërinë në mendje e në zemër, ata ruajtën dhe farkëtuan dritën e Kutjesës së «Dheut mëmë » në shekujt e gjatë të errësirës.

Nën peshën e rëndë të mërgimit që u kishte dhënë Historia, duke mos e lënë të tretej kujtimi i “Motit të madh” dhe i Heroit të tyre Gjergj Kastrioti, ata ushqenin ëndrrën e madhe të lirisë, për të gjithë ne.

Kudo, në Horat e tyre, në rrugëzat e krojet e qytezave diçka u kujtonte emrin e Skënderbeut. Dhe në këngët e tyre të bukura, të kënduara në rituale martesore, mortore, fetare, festivale etj. rikujtuan me krenari e mall “Motin e madh”, fatin e heronjve dhe të njerëzve bujarë të Arbërisë së tyre. Profesori i nderuar Altimari, miku yne po aq, na sjell të dhëna e fakte të pafundme.

Shkrimtarët arbëreshë e kuptuan këtë gjë të parët dhe duke çmuar e përvijuar traditën e hershme të poezisë popullore arbëreshe ndërtuan modelin shpirtëror e mendor të një Atdheu të lavdishëm, të denjë për t’i flijuar penën, artin, pasurinë, jetën.

Krijimtaria e tyre është sot pjesë e pasurisë shpirtërore mbarëkombëtare: askush prej nesh sot nuk do të ndjehej i plotë pa njohur krijimtarinë e tyre: kulmim i papërsëritshëm hijeshije, humaniteti e atdhedashurie. De Rada, Dara (i vjetri e i riu), Zef Serembe, Schiroi e të tjerë i rikthyen letërsisë shqipe heroin dhe kombin e përsosur, lindur tragjikisht në teatrin e ashpër të historisë së vet.

Ata ndezën shkëndijën e një zjarri që do të përfshinte me zhvillimin e Rilindjes çdo zemër shqiptare.

Për të shkruajnë vargje të paharrueshme Naimi e Çajupi, Mjeda e Asdreni, Jubani e Shiroka, me thirrjen për t’i besuar edhe një herë së bashku Gjergj Kastriotit dhe simbolit të tij të lirisë, një flamuri të lashtë e krenar si vetë kombi i tij me të cilin në « Nëntorin e dytë të shqiptarëve » dhe me emrin e tij në buzë, plaku i thinjur i Vlorës shpalli të MOSVARME Shqipërinë .

Por shqiptarët nuk janë të vetmit në historinë e Europës që e panë Skënderbeun si simbol të lirisë. Dhe këtu nuk e kam fjalën për mijëra faqe veprash historike të mirëfillta që penat më të ditura europiane shkruan për të, por për mijëra e mijëra vargje poemash e veprash dramatike, për qindra pentagrame partiturash muzikore e veprash të arteve pamore që populluan panteonin e Kulturës së përbotshme.

Kudo ndër studiues has sot bindjen se kjo referencë intensive në vepra artistike ndaj Kastriotit të madh të Shqiptarëve shfaqej më e fuqishme së kurrë pikërisht atëherë kur Europa e lirë parandjente kanosjet e herëpashershme të një sulmi apo pushtimi të mundshëm turk të territoreve të saj.

Se çfarë fati do t’i priste në një rast të tillë ata kishin patur mundësi ta kuptonin të tmerruar në fatin tragjik të popujve të Ballkanit e sidomos të atij Shqiptar.

Ndaj dhe pasardhësit arbërorë i qenë drejtuar sërisht Burrit të tyre të madh, si simbolin e vetëm që i bashkonte përtej çdo pamundësie, qoftë ajo gjeo-politike, ideologjike, fetare, dialektore, kulturore etj.

“Se ju bij te Motit të madh/ Hapët një të ndritu udhë/ Në thellësi të shekujve…” – shkruante si në një testament poetik Gavril Dara.

Ky frymëzim i pashoq që vjen prej figurës së tij fiton gjatë viteve të Shtetit të pavarur shqiptar jo vetëm simbolikën kombformuese por tashmë edhe atë shtetformuese, cilësi që nuk do ta bjerrë më kurrë. Por ai është njëkohësisht Skënderbeu i shqiptarëve kudo që ata jetojnë në trojet e tyre në Kosovë, Maqedoni, Greqi e Mal të zi, në Diasporat e afërta e të largëta, të hershme e të reja.

Me të drejtë studiuesi dhe miku ynë Mandala

(i pranishëm sot mes nesh, e si mund te mos ishte ! )

vëren në një prej studimeve të tij të çmuara për Kadarenë frymëzimin dhe modelin letrar deradian te vepra madhore “Kështjella” që Ismail Kadare ia kushton pikërisht Skënderbeut dhe qëndresës së tij.

Ashtu si De Rada, edhe ai e shfaq heroin e tij vetëm si frymë e si frymëzim, për ta ngritur përmes shtresave të thella të leximit në ide e koncept.

Dhe e gjej frymëzimin modestisht, - nese ma lejoni - edhe unë po te një arbëresh, poeti Zef Skiro Di Maxho i Pianës Albanese - i cili shkruante vargun befasues “Kruja është zemra e botës” – për të pohuar sot para jush, teksa të pranishëm në këtë sallë nuk jemi vetëm ne por miliona zemra e mendje shqiptare kudo në botë, në këtë çast sa kremtues aq reflektues të këtij 550-vjetori, të pohojmë së bashku se “Gjergj Kastriot Skënderbeu është zëmra e përjetshme e Shqipërisë, ështe zemra e zjarrtë e të gjithë shqiptarëve”.