Postuar më: 09 Maj 2017

Fjala e Ministres së Kulturës, znj. Mirela Kumbaro në ceremoninë e hapjes së Bienales së të Rinjve të Mesdheut, Mediterranea 18

"Ideja nisi në vitin 2013 kur sapo isha bërë Ministër i Kultures, mora një mesazh nga një artist i ri, Klodian Deda, i cili më thoshte se nuk merrte dot pjesë në Bienalen e të rinjve të Mesdheut pasi Shqiperia nuk ishte anëtare e Bienales dhe kjo ishte një humbje e madhe mundësish për të rinjtë artistë. Kaq mjaftoi që t’i hynim punës.

Pjesa tjetër pastaj është histori kërkimi, negociatash, plotësim kushtesh dhe në janar 2016 Shqipëria anëtarësohet me të drejta të plota në Organizatën e Bienales së Artistëve të Rinj të Mesdheut.

Dhe menjëherë paraqitëm kandidaturën për të qenë organizatorët dhe mikpritësit  e Bienales se viti 2017 Mediterranea 18 në Durrës dhe në Tiranë.

Një vit punë, një grup i përzgjedhur kuratorësh: Jonida Turani, Maja Ciric, Ema Andrea, Maria Rosa Sossai, Alban Nimani&Rubin Beqo, Eroll Bilibani, nën drejtimin fantastik dhe profesional të Drejtorit Artistik, Driant Zeneli, të cilët e bënë Shqipërinë HOME, Shtëpinë  e të gjithëve.

40 vende dhe 230 artistë, 32 prej të cilëve janë artistë të rinj që përfaqsojnë Shqipërinë.

Nuk mund të mos na bashkohej shumë shpejt në këtë aventurë të bukur Bashkia Tiranë, dhe e falenderoj Erionin që e përqafoi menjëherë këtë projekt madje duke anëtarësuar dhe Qytetin e Tiranës, krahas Ministrisë së Kulturës në Bienale.

Të tjerë partnerë erdhën si Rajoni i Puglias dhe Bashkia e Durrësit , por edhe Instituti Italian i Kulturës dhe jo vetëm, lista e partnerëve, mbështetësve, dhe inkurajuesve është e gjatë dhe besoj që falenderimin më të madh do ta marrin duke ndjekur dhe shijuar faktin që falë këtij bashkimi forcash Tirana është sot qendra artistike për të rinjtë e Mesdheut.

Lajm shumë i mirë është që për herë të parë kësaj bienaleje i është bashkuar edhe Kosova.

230 artistë që mbërritën në Shqipëri  janë në fakt  ura dashurie për “Mediterranea 18” që lidhin Evropën dhe Mesdheun  me Tiranën dhe Durrësin duke e kthyer në një shtëpi  të madhe mikpritëse  idesh, vizioni dhe emocioni.  

Kur shprehem për një shtëpi të madhe mikpritëse,  nuk kam parasysh vetëm artistët, por edhe gjithë pasionantët e rinj që bëhen pjesë e këtij aktiviteti  ndërkombëtar, që ka meritën, jo thjesht të një bienaleje,  por të një atmosfere 24 orëshe për 5 ditë rresht me të gjitha moshat, me të gjitha gjinitë artistike, me debatin dhe batutën, me edukimin dhe socializimin, me profesionin dhe  spektatorin.

Jeta e ‘mesdhetarit’ pranë njëri-tjetrit,  bashkëkzistenca e popujve tanë, besimi, kultura, gjuha e ndryshme kanë lënë një pasuri shpirtërore që duhet ta rrëfejmë.   Falë këtij takimi do të kthejmë Shqipërinë në një ndër vendet e rëndësishme të agjendave kulturore ndërkombëtare dhe në këtë kontekst, Tirana është jo vetëm qyteti mikpritës, por edhe kryeqyteti i kulturës. Durrësi është jo vetëm porti më i madh tregëtar por edhe portë e hapur e kulturave, sic është gjithë historia e tij.

E kuptoni çfarë ndryshimi ka ndodhur!

Lexoja dje intervistën e Adi Asllanit, sot kostumograf I njohur, i cili ka marrë pjesë në një tjetër edicion të kësaj Bienaleje fiks 20 vjet më parë, në vitin e tmerrshëm 1997, kur e merrnin për të çmendur që donte të merrte pjesë në një Bienale arti që asokohe zhvillohej në Milano, ndërsa në Tiranë fishkëllenin plumbat mbi kokë dhe shteti kishte ikur në drejtim të paditur.

20 vjet më pas jemi këtu në SHTËPI

Ministria e Kulturës  me këtë projekt angazhohet të krijojë hapësira të reja, madje e quan detyrë të krijojë  ‘tokën’e realizimit të produkteve artistike. 

Në Tiranë dhe Durrës do të rrëfehen personazhë të historive të përbashkëta mesdhetare dhe evropiane.  Nëpërmjet emocioneve, vlerave kulturore të përbashkëta  do të zbulojmë  univers mendësish që përplasen dhe mbeten në kërkim të asaj që është njerëzore.  Kjo bienale do të do  të jetë një përballje  për artistët e rinj,  ku ide të reja dhe kultura të ndryshme  do të lehtësojnë tejkalimin e kufijve.

Shqipëria e meriton  “Mediterranea 18”  sikurse dhe Bienalja  e Artistëve të Rinj   ka  ‘zbuluar’ në Tiranë e Durrës  skenën e duhur për t’i provuar ”Tjetrit”  se Shqipëria përmes  Artit e ka tashmë zërin e vet  dhe se artistët dhe të dashuruarit e Artit,  ngado që të vijnë duhet t’i bashkohen qëllimit të përbashkët të  “Mediterranea 18” që është prezantimi i artit që sfidon të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. 

Mirëserdhët në Shtëpi!

Welcome HOME! "