Postuar më: 23 Shkurt 2017

Fjala e ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro në Konferencën e tretë Ministeriale: Nxitja e Kulturës për Zhvillim të Qëndrueshëm

-Mireserdhët në Tiranë, për herë të parë ndoshta, ose për ta rivizituar,  qoftë kulturën e traditës por dhe ajrin e kohës.

 

Po të shohim emertesën tonë të përbashket dominojnë dy terma:

- Europa Juglindore 

- Kultura

 

Termi i parë, nuk e fsheh , nuk më pëlqen, është një etiketë gjeopolitike që çon drejt periferisë.

Nuk do të merrem me përcaktimin e Periferisë, sepse më duket një mision i pamundur. 

Por nga krahu tjetër, a mundem ta bëj?!

Ne vijmë nga periferia, sipas përcaktimit të njëpasnjëshëm të këtij termi në gjeopolitikën moderne, që bën qendra e Evropës, jo vetëm e Evropës gjeografike, por sidomos e Evropës politike dhe politikane. 

Por në kulturë, periferia humbet kuptimin e fjalës, sepse është thjesht një fakt kulture, i cili kthehet në një mundësi, në një mjet komunikimi dhe njohjeje reciproke.

 

Kulturat tona sado të na ngjajnë, apo sado të duam, - nganjëherë dhe dëshpërimisht,-  të tregojmë se jemi të ndryshëm nga Tjetri, janë një botë e tërë për t’u zbuluar. 

Si mund të bindemi se jemi kaq të ndryshëm nga Tjetri kur ngjasojmë kaq shumë?! Duke u mbyllur? Duke mos u parë në sy për të shmangur “ngjashmërinë e padurueshme të Tjetrit”? - sic thotë një shkrimtar shqiptar, Gazmend Kapllani, i cili i iku diktaturës, u vendos në Greqi, shkruan greqisht dhe pastaj përkthehet në frëngjisht apo në anglisht si një letërsi e mirë nga Ballkani.

 

Pa dyshim nder për mua të drejtoja këtë konferencë të veçantë. Pa dyshim nder për Shqipërinë që mbajti presidencën e radhës të CoMoCoSEE me besimin se kemi përmbushur disa nga angazhimet e rëndësishme të një viti më parë, kur në Stamboll propozuam dy tema të rëndësishme të këtij viti:

- Rrugët e reja dhe sfidat në menaxhimin e trashëgimisë kulturore

- Lufta kundër trafikimit të pasurive kulturore

 

Shqipëria është shumë afër miratimit në Parlament të një projektligji të ri për Trashëgiminë Kulturore, një projektligj guximtar por edhe bashkekohor që përfshin në përgjegjësi dhe në bashkëpunim për menaxhim të Kulturës edhe pushtetet e tjera, edhe sektorin privat, edhe komunitetin, duke propozuar forma të reja partneriteti të cilat synojnë rijetëzim të siteve të trashëgimisë si dhe kthimin e kulturës në një motor zhvillimi.

 

Po kështu Strategjia Kombëtare për luftën kundër trafikut të pasurive kulturore, është një platformë reale bashkëpunimi që ka treguar se funksionon si për të parandaluar ashtu dhe për të kapur në kohë cdo tentative trafikimi.

 

Ne besojmë shumë fort se ende nuk i jemi afruar kulturës në mënyrë mjaftueshëm inteligjente, për ta kthyer atë jo vetëm në një fushë brenda së cilës delirojmë shpesh, ose në një objekt soditjeje pasive, por sidomos në një burim jetëzimi dhe ekonomie.

 

Shqipëria ka burime ekonomike të pashfrytëzuara në trashëgiminë kulturore.

Vjen një kohë si kjo e jona, ku ne shohim se deliri nuk mban gjatë dhe se kur zbret në tokë sheh se nga mungesa e politikave dhe strategjive zhvilluese, territori merr kot dhe ndërtimet shkojnë në drejtim të paditur.

 

Prandaj kërkohen modele me objektiva të qartë dhe shumëdimensionalë.

Shqipëria është vend i vogël dhe nuk e ka luksin të zhvillojë zona unilaterale, por të kombinojë në çdo territor potencialin natyral urban, social dhe ekonomik me programe të destinuara zhvillimi.

 

Unë besoj se ne na duhet t’u kthehemi atyre pikave të forta që i kemi trashëguar në shekuj, që kanë treguar më shumë stabilitet social, që i kanë rezistuar natyralisht konflikteve dhe diktaturës, por që ne I kemi përdorur më së shumti për delir, dhe që deri dje nuk i kemi as mbështetur, as zhvilluar, e as financuar, në rastin më të mirë ka përkuar rastësia me tendencën natyrale të zhvillimit.

 

Programi i qendrave historike urbane, është tashmë në provë:

- duke nisur nga qytetet e vogla, gati të harruara nga harta e zhvillimit të territorit, si Erseka, Kavaja, Shijaku, Puka, Tepelena, Permeti. Ishin qytete ku dukej sikur koha ishte ndalur në vitin 90 në rastin më të mirë, dhe batërdisur nga ndërtimet pa kokë e pa këmbë. Rasti më ishte keq Kruja e cila për 25 vjet u rrethua nga armiku i pamposhtur i betonit,  ndërsa sot Kruja po ngre kokë e lulëzon.

 

- por edhe programi i qyteteve të mëdha, si Durrësi, Korça, Vlora, Shkodra, 

Tirana, ku nuk synohet thjesht ndërtim ngrehinash, por zhvillim shoqëror dhe kulturor, jo vetëm për të kaluar mbrëmjet por për të tërhequr bizneset e mëdha, bankat, brendet dhe biznesin imobiliar.

 

Besoj jemi në një mendje nëse pranojmë që ka ardhur një kohë që zhvillimi i qendrave urbane me kahje kulturore është model I zhvillimit që i duhet Shqipërisë. 

E dikton koha kur bota po kupton se investimi i munguar kulturor në shoqëritë njerëzore po sjell fatkeqsi, dhe se sot më shumë se kurrë duhet të ushqejmë shpirtrat dhe jo barqet.

E diktojnë përmasat e Shqipërisë, ku copëzimi i territorit ka në origjinën e vet hartën e mozaikut kulturor tashmë të konsoliduar dhe ta çbësh është gabim, ta rentabilizosh e ta kthesh në biznes është mençuri e vision.

E dikton rajoni në të cilin ndodhet Shqipëria, Ballkani dhe Mesdheu, ku ky model ka tashmë rekordet e suksesit. E dikton pozicioni gjeografik me dy fqinjë anëtarë të Bashkimit Europian, Italia dhe Greqia, që kanë bërë jo pak gabime në politikat ekonomike dhe fiskale, por ama një gjë e kanë bërë shumë mirë, dhe kjo gjë i mban: zhvillimi i qendrave të vogla urbane sipas modelit socio-kulturor që shfrytëzon tabanin dhe zhvillon biznesin e turizmit original.

 

Ajo që unë dua të ndaj me ju, është bindja e patjetërsueshme që kam pasur si qytetare e këtij vendi, e që vendosa të rris fëmijët e mi në këtë vend, e që kam sot si pjesë e qeverisjes se cdo investim të cilit i mungon qasja kulturore dhe edukuese është investim i dështuar.

 

Jam e bindur se krijimi i modelit estetik urban që krijon hapësirë për promovim të kulturës, ku trashëgimia realizon tërheqjen e duhur emocionale, edukimin e shijeve, mjedisin e favorshëm psikologjik – është terreni më i favorshëm për të zhvilluar ekonomi të qendrueshme.

 

Në këta kater vjet rrugëtimi të përbashkët kemi parë se si qytetet ku kemi ndërhyrë me këto modele, janë kthyer në skena të hapura kulturore, në shkolla edukimi estetik për të rinjtë, në dekore festivalesh ndërkombëtare, në rezidencat e preferuara të piktorëve, në panaire kulinarie, në kënde leximesh, në vendtakime të dashuruarish.

 

Korca, Shkodra, Berati,…

Sapo nisëm Gjirokastrën, për sukesin e të cilës jam e sigurt. Kemi bërë disa prova me evente kulturore të mëdha dhe kemi parë se Gjirokastra jo thjesht është perlë e historisë, por ne duhet ta kthejmë në thesar të Shqipërisë.

Ndërkohë Qeveria shqiptare eshte gati për të filluar një tjetër kantier të ngjashëm sipas të njëjtit model në fshatrat e bregut. Projektet janë tashmë gati për Dhërmiun dhe Vunoin ku shpejt fillon kantieri dhe ku me patjetër do të zhvillojmë modelin e fshatrave turistikë ku Mali ka të gjitha arsyet të hyjë në garë me Detin, garë që e fiton, se Deti mban 3 muaj turistë, ndërsa Mali 12 muaj.

 

Tani kujdes!

Këto punë perkojnë me fazën finale të ligjit për trashëgiminë. Kjo tregon se punojmë edhe me çekiç e krahë edhe me penë e mendje bashkë. 

Ky ligj duhet në fakt të diktojë rregulla në menaxhimin e trashëgimisë që loja të jetë e ndershme edhe për biznesin edhe për klientët edhe për Qytetin si një hapësirë urbane kolektive, ku shteti duhet të mbajë prioritetet e politikës së vet sociale.

Unë besoj shumë fort te publikja, dhe nëse menaxhimin ia besoj privatit politikat sociale s’duhet të humbasin fillin e ekuilibrit kulturor dhe edukues.

Them se sado pak ia kemi arritur qëllimit të shpjegojmë se investimi më me vlerë është investimi që e sheh kulturën si motor zhvillimi.

Une e besoj fort. Besojeni dhe ju!.