Postuar më: 18 Qershor 2015

Ministria e Kulturës denoncon shkeljen e ligjit nga Bashkia e Tiranës, lidhur me prishjen e monumenteve të trashëgimisë kulturore.

Dokumentet e bashkangjitur

Ministria e Kulturës denoncon shkeljen e ligjit nga Bashkia e Tiranës, lidhur me prishjen e monumenteve të trashëgimisë kulturore.

 

Akt i rëndë, i kryer natën dhe në shkelje të plotë me ligjin.

 

Ministria e Kulturës sqaron sa më poshtë:

 

Duke u gdhirë data 16-06-2015  Drejtoria Rajonale e Kultures Kombëtare u njoftua se

 

në Tiranë kishte nisur të prishej një vilë.  Pas  verifikimit rezultoi se është vila  me numër indetifikimi V–11 në rrugën “Asim Zeneli”. Kjo vilë është vendosur në mbrojtje paraprake me vendim të KKR-së,  të datës 15 korrik 2014 (bashkëngjitur).

 

Ky vendim prodhoi pasaportën e mbrojtjes paraprake (bashkangjitur), vendim  i cili u rinovua në datën 16.01.2015 nga KKR, dhe që vijon të jetë në fuqi.

 

Pas kësaj ngjarje, Ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Drejtoria rajonale përkatëse, u vunë në lëvizje menjëherë dhe ndërmorën të gjitha hapat e parashikuar nga ligji.

 

Eshtë bërë inspektimi dhe është mbajtur procesverbali në vend, nga i cili rezulton se është prishur pothuajse gjysma e vilës gjatë natës me 15.06.2015.

 

Në mënyrë urgjente nga institucionet përgjegjëse u janë dërguar brenda datës 16.06.2015 dy shkresa Bashkisë së Tiranës dhe IKMT për shkelje të ligjit  te trashegimise nga Bashkia e Tiranës, si dhe Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë për të denoncuar këtë akt të kundërligjshëm në dëm të trashëgimisë kulturore.

 

Leja zhvillimore e datës 06 tetor 2014 dhe vendimi përkatës i kryetarit të Bashkisë së Tiranës janë në shkelje me vendimin e KKR-s të sipërpërmendur dhe me Ligjin e Trashëgimisë Kulturore i cili shprehet qartesisht ne nenin 12 se ndalohet cdo nderhyrje ne objektet ne mbrojte si monument kulture.

 

Drejtoria Rajonale ka kryer tashmë denoncimin në polici dhe ka bërë njoftimin në Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së  Territorit.

 

 IMK nga ana e saj ka nisur gjithashtu shkresë në Bashkinë e Tiranës ku kërkohet informacion për :

1. Lejen Zhvillimore të Ndërtimit, Nr. 8771/10 të datës 06.10.2014 për strukturën banim dhe shërbime 4 dhe 6 kate me 2 kate parkim nëntokë.

 

2. Lejen e prishjes së objektit.

 

Ndërkohë IKMT-ja  nga data 16.06.2015 ka kryer  pezullimin e veprimeve të mëtejshme dhe ka njoftuar subjektin e ndertimit për pezullim.

 

Ministria e Kulturës denoncon me forcë shkeljen e ligjit nga Bashkia aktuale e Tiranës, dënon këtë krim kundër trashëgimisë kulturore, kundër shpirtit të qytetit.

 

Duke u bashkuar me shqetësimin e opinionit publik u bëjmë thirrje organeve të drejtësisë të ndjekin të gjitha procedurat ligjore për këtë akt flagrant.

 

Po kështu i bëjmë thirrje çdo subjekti që të mos gabojë, të mos guxojë të prekë monumentet e kulturës, qofshin ato private apo publike.

 

Nuk do të lejojmë askënd të përsërisë krimet ndaj trashëgimisë dhe do të detyrojmë me forcën e ligjit ta rindërtojë atë që ka dëmtuar, për t’i thënë ndal karshillëkut ndaj shtetit dhe ndaj ligjit.