Postuar më: 28 Tetor 2016

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE AKADEMIKE

“Kontribute në përpunimin e projektligjit të ri të Trashëgimisë Kulturore në Shqipëri”

 

Me datë 26 tetor 2016 Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Universitetin Alma Mater Studiorum tw Bologna-s, Fondacionin Flaminia Ravenna, Fakultetin e Drejtësisë Universiteti i Tiranës, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Shkollën Shqiptare të Administratës Publike dhe Institutin Italian të Kulturës organizuan në ambientet e Fakultetit të Drejtësisë së Universitetit të Tiranës, konferencën ndërkombëtare akademike “Kontribute në përpunimin e projektligjit të ri të Trashëgimisë Kulturore në Shqipëri”. Kjo konferencë vjen si një event pararendws i fazës së konsultimeve të projektligjit të ri të ''Trashëgimisë Kulturore & Muzeve” që do të ndërmerret nga Ministria e Kulturës në javët në vijim.

Pjesëmarrës në konferencë ishin të ftuar nga bota akademike, profesionistë të fushës së trashëgimisë kulturore, nëpunës së trashëgimisë kulturore dhe studentë.

Qëllimi i kësaj konference me karakter informues dhe krahasues ishte njohja me regjimet juridike në fushën e trashëgimisë kulturore në rajon, atë të Bashkimit Evropian dhe draftligjin e hartuar nga Ministria e Kulturës mbi Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë.

 

Sic theksuan Znj. Elira Kokona, Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Kulturës në emër të grupit të punës,  Prof. Giovanni Cimbalo nga Universiteti i Bologna-s Alma Mater Studiorum,  profesoresha Federica Botti, nga Universiteti I Bologna-s, kampusi i Ravena-s, Trashëgimia Kulturore nuk mund të trajtohet në mënryë të izoluar por veç në një kuadër të ndërthurur konceptesh dhe institutesh të cilët harmonizojnë rregullimin e fushës në Shqipëri, në rajon dhe në vendet e Bashkimi Evropian. Vlerat e trashëgimisë kulturore mund të jenë një faktor i rëndësishëm i ekonomisë së vendit përveçse mbajtëse të kujtesës kolektive. Rregullimet ligjore të fushës në Shqipëri dhe më gjerë, synojnë pikërisht jo vetëm ruajten dhe mbrojtjen e këtyre vlerave por edhe vlerësimin dhe administrimin e tyre në forma sa më efektive. 

 

Nga debatet në këtë konferencë, pjesëmarrësit u njohën me parimet kryesore që përshkojnë gjithë strukturën e projektligjit të ri si dhe vënien e theksit të këtyre rregullimeve në krijimin e sistemit ligjor te qëndrueshëm dhe të harmonizuar te krahasueshëm me të gjitha sisteme ligjore të fushës në rajon dhe në vendet e Bashkimit Evropian.

 

Znj. Elira Kokona, znj. Risena Xhaja, Znj. Daniel Pirushi, Znj. Rudina Zoto, znj. Eris Hysi  prezantuan në mënyrë të shkurtër përmbajtjen e kapitujve të ndryshëm të projektligjit i cili në ditët në vijim do ti shpërndahet publikut për komente dhe sugjerime.

 

Hartimi i këtij projektligji për një periudhë prej më shumë se dy vjet duke marrë mendimet e një grupi teknikësh të krijuar nga Ministria e Kulturës në vitin 2014 në bashkëpunim me Këshillin e Evropës, UNESCO, AADF dhe grupin e specializuar të juristëve kanë bërë të mundur që projekti që do të konsultohet të japë zgjidhje problemeve të fushës së Trashëgimisë Kulturore.