Postuar më: 03 Shkurt 2015

Informacion në lidhje me procesin e konsultimeve për linjën e interkonjeksionit në Koman

Ministria e Kulturës si Institucioni përgjegjës për ruajtjen e   trashëgimisë kulturore si dhe përkujdesjen ndaj saj kur bëhet fjalë për objekte me karakter zhvillimor e ka patur parasysh këtë mision të saj edhe gjatë marrjes së vendimit për miratimin njëkohësisht të zones së mbrojtur arkeologjike të Komanit, respektivisht zonave A dhe B dhe të vendimit lidhur  me projektin me rëndësi strategjike kombëtare të linjës së transmetimit 400kv Shqipëri Kosovë.
Gjatë kësaj periudhe këto vendime janë bërë publike dhe në vijim  informojmë opinionin publik si më poshtë:
Duke konsideruar se shqetësimet zgjidhen vetëm në tryeza institucionale, perms ballafaqimit të mendimeve , opinioneve dhe ekspertizave të fushave përkatëse, Ministria e Kulturës, tërësisht e përgjegjëshme dhe e kujdesshme në misionin e saj, ka nisur qe prej disa javësh, ka organizuar dhe administruar një proces të vërtetë ballafaqimi teknik ndërinstitucional, mes Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik, Institutit të Studimeve Arkeologjike dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit, të zhvilluar përmes disa takimeve në institucione si dhe takimin e fundit të datës  3.02.2015 të zhvilluar në Koman. Si rezultat i këtyre tryezave teknike dhe në përgjigje të shqetësimit në lidhje me ruajtjen e vendbanimit mesjetar të Komanit, sot, nga ana e ekspertëve të  OST është bërë një propozim i cili ka të bëjë me zhvendosjen pjesërisht të një segmenti të linjës jashtë zonës B të propozuar, propozim i pranuar nga IA (Misioni arkeologjik Shqiptaro -Francez).  
Ky rezultat tregon se rruga për arritjen e kompromisit për ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore dhe njëkohësisht të realizimit të zhvillimeve të mëdha me  rëndësi për strategjinë tone Kombëtare është, ka qenë dhe mbetet ulja në tryezë e të gjithë aktorëve, atë çka Ministria e Kulturës me profesionalizëm të lartë dhe urtësi ka bërë gjatë gjithë kësaj kohe, edhe përpara mediatizimit të skajshëm dhe shpesh here dezinformues, të problematikës.
Ajo çka ne konstatojmë sot me kënaqësi është se vendimarrja e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë e dt. 12.12.2014 ka qenë dhe mbetet vendimi i duhur profesionalisht, teknikisht dhe ligjërisht. Konkretisht vendimi i KKA nr. 367. Dt.12.12.2014 për projektin e Linjës së transmetimit 400kv Shqipëri-Kosovë, i cili pranoi edhe propozimin e Misionit Arkeologjik Shqiptaro-Francez për shpalljen e zonave arkeologjike A dhe B, diktonte ndërtimin e një marrëveshjeje midis OST, IA dhe ASHA, për mbikqyrje dhe kryerjen e sondazheve arkeologjike të shtyllave të pozicionuara në zonën B, të propozuar nga IA (Misioni Arkeologjik Shqiptaro-Francez), vendim që mbetet në fuqi edhe sot në lidhje me shtyllat që vazhdojnë të jenë Brenda zonës B, në propozimin e ri të pranuar plotësisht nga palët.

Ndërkohë  Këshilli  Kombëtar i Arkeologjisë do të jetë në pritje për një shqyrtim të propozimit të ri të OST për ato shtylla që mund të vendosen përtej zonës B, sipas procedurave të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë për çdo instalim të ri në territorin e Republikës.