Postuar më: 25 Maj 2014

Reforma e Ministrisë së Kulturës në fushën e trashëgimisë kulturore

Trashëgimia kulturore, materiale dhe jomateriale është një pasuri kombëtare, që ndonëse shteti ka përgjegjësinë e drejtëpërdrejtë ta ruajë, ta mbrojë, ta promovojë, duke qenë pasuri e gjithë kombit do të thotë që të gjithë kemi detyrën të kujdesemi për të, ta duam, ta njohim, ta mbrojmë dhe ta promovojmë.

Këtë përgjegjësi Ministria e ushtron përmes strukturave të saj lokale në terren, drejtoritë rajonale, zyrat e administrimit të parqeve dhe drejtoritë e muzeve, të cilat në bashkëpunim me institucionet e specializuara në varësi të MK si IMK, ASHA, QKIPK dhe QKVF kujdesen për mbrojtjen, mirëmbajtjen, mirë-administrimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale.

Prej shumë kohësh është hequr dorë nga kujdesi i ditëpërditshëm mbi monumentin. Vegjetacioni që pushton monumentin i ka zënë vendin dorës së kujdesshme që duhet t'i pastrojë ato. Komunikimi me njerëzit është shuar. Marrëdhëniet me pushtetin lokal në rastin më të mirë ishin të munguara, por shpesh ishin thuajse klanore në mosarmiqsore . Për monumentin nuk e vriste njeri mendjen. Pa folur këtu për dëmet e jashtëzakonshme që janë bërë me ndërtimet pa kriter, me vandalizmat në qendrat historike, me ndërhyrjet masakruese në monumente, me braktisjen e banesave tradicionale pa kthyer kokën pas, me rendjen pas fitimit të ditës dhe korrupsionin e strukturave vendimmarrëse e lejedhënëse. Shkak apo pasojë e sa me siper, më e keqja, niveli profesional i administratorëve lokalë të trashëgimisë zbriti në kuotat më të ulta.

Nuk është asnjëherë vonë të ndërhyjmë, të ndalemi, të mendojmë jo vetëm si të ndalim këtë situatë, të shpëtojmë por dhe se si ta bëjmë më mirë detyrën tonë të përbashkët. Gjithësesi kjo nuk është e lehtë, por jo e pamundur.

Sado i pasur të jetë një shtet, nuk mund të përballojë i VETËM monumentet me restaurime, të cilat në çdo rast rëndojnë shumë buxhetin, dhe aq më e rëndë bëhët kjo kosto për një vend si Shqipëria e cila listën e prioriteteve dhe të emergjencave nuk e ka të vogël.

Që në fillim të punës, Ministria e Kulturës dhe Institucionet e specializuara të saj, kanë nisur një seri inspektimesh në terren, jo vetëm për të parë e kuptuar situatën fizike, gjendjen konkrete, vendodhjen e monumenteve, por sidomos edhe për të njohur kapacitetet njerëzore që punojnë në terren, aftësitë ose paaftësitë e tyre, marrëdhëniet e tyre me komunitetin, me shkollat, me pushtetin vendor, me biznesin lokal, mangësitë e rregulloreve të qendrave historike e të parqeve, sfidat, vështrësitë, për të diskutuar për kapërcimin e tyre. Ndër të tjera, ishte kjo njohje me terrenin, njerëzit dhe problemet që dha bazën për fillimin e reformës në Trashëgimi.

Në këtë kontekst, hapat strategjikë të ndërmarrë nga MK janë:

1. Shtrirja e rrjetit të administratorëve lokalë të DRKK-ve në sa më shumë pika të territorit për ta mbuluar sa më mirë atë; për të qenë sa më pranë monumenteve dhe vlerave kulturore dhe komuniteteve që jetojnë pranë, gëzojnë dhe bartin këto vlera kulturore; Krahas mbulimit gjeografik, trajtimi me profesionalizëm i problematikave që dalin gjatë mirëmbajtjes së përditshme të monumenteve dhe vlerave kulturore ka qenë një shqetësim që gjen zgjidhje përmes profilizimit të brendshëm të strukturave të DRKK-ve; ky ishte qëllimi i reformës strukturore të sistemit administrativ të TK ;

2. Rekrutimi i personelit me konkurs mbi bazën e profilizimeve të reja profesionale. Ky konkurs vazhdon çdo ditë, çka do të thotë:

  • se performanca profesionale është dhe do të jetë objekt i përditshëm i vlerësimit dhe i matjes së kompetencave, angazhimit dhe përkushtimit të gjithsecilit.

  • se puna që ka filluar mbarë për identifikimin, inventarizimin, pastrimin e monumenteve dhe promovimin e vlerave kulturore jomateriale është puna e përditshme e DRKK-ve.

  • se askush nuk është i përjetshëm në ato poste.

3. Përmirësimi i kapaciteteve përmes trainimit dhe kualifikimit të vazhdueshëm të personelit të DRKK-ve në fushën e administrimit të Trashëgimisë është tashmë një program i mirorganizuar dhe i pandarë i punës së MK në qendër dhe në terren.

4. Vendosja e komunikimit intensiv midis DRKK-ve dhe institucioneve të specializuara të Ministrisë së Kulturës (IMK, ASHA,QKIPK, QKVF) për një koordinim sa më të mirë profesional dhe institucional të punës - komunikim i munguar që po jep rezultatet e veta dita-ditës, ka qenë nga prioritetet e para të Ministrisëë së re të Kulturës.

5. Ndërtimi dhe ruajtja e marrëdhënieve me pushtetin lokal, komuna e bashki, pa të cilët është e pamundur të ruhet e të mbrohet trashëgimia kulturore - domosdoshmëri dhe angazhimi ynë i përditshëm.

6. Bashkëpunim intensiv me shoqatat dhe biznesin lokal për të mbështetur një pasuri nga e cila përfitojnë të gjithë dhe që të gjithë e gëzojnë, prandaj të gjithë duhet të kontribuojnë - jemi krenarë që rezultatet e para të këtij bashkëpunimi kanë ecur shumë mirë. Nga ana e saj MK përmes një procesi tejet transparent, ka mbeshtetur dhe vijon të mbështetë 22 projekte të paraqitura nga institucione dhe shoqata në fushën e trashëgimisë kulturore në Thirrjen e Parë për Projekte të MK.

7. Bashkëpunim dhe lobim me të gjithë donatorët aktualë dhe potencialë për të ngritur fonde si për mirëmbajtje, restaurim, por edhe për jetëzim në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm. Rezultatet e këtij bashkëpunimi nuk kanë vonuar:

  • projekti për ndërtimin e Muzeut Marubi me fondet IPA dhe në bashkëpunim me FSHZH;

  • muzealizimi dhe hapja së shpejti e Muzeut arkeologjik të Durrësit, mbyllur prej më shumë se 4 vjetësh, në bashkëpunim me Bankën Intesa San Paolo, me Bashkinë e Durrësit dhe falë punës së përkushtuar të ekspertëve të sistemit të TK;

  • restaurimi i Kishës së Shën Mërisë dhe Trapezarisë në Apolloni si dhe riorganizimi i itinerareve vizituese të parkut;

  • restaurimi i kishave më të rrezikuara në bashkëpunim me qendrën e restaurimit të Kishës ortodokse përfshirë dhe Kishën e Shën Spiridhonit në Vuno, çatia e së cilës u shemb nga braktisja e gjatë;

  • restaurimi i afreskut të Kishës së Valshit, dëmtuar e vjedhur nga keqbërësit e paidentifikuar dy vjet më parë, do të rikthehet falë bashkëpunimit me fondet IPA dhe institucioneve qe menaxhojne ato;

  • restaurimi i Urës së Goricës në Berat (WHS) në bashëkpunim me FSHZH;

  • projekti për restaurimin e Kalasë së Gjirokastrës në bashkëpunim me Agjencinë turke TIKA;

  • projekti pilot për ndricimin e një pjese të qendrës historike në Gjirokastër (WHS)

  • hapja së shpejti e pavionit te etnografise ne MHK falë bashkëpunimit me UNDP;

  • Krijimi i Muzeut Virtual të Marubit në bashkëpunim me UNDP dhe Regione Friuli Venecia Giulia;

etj.

8. Komponent i rëndësishëm dhe i domosdoshëm i reformës në trashëgimi është reforma ligjore, punë që ka filluar tashmë që prej disa muajsh nga Drejtoria e Përgjithshme e Trashëgimisë Kulturore në bashkëpunim me grupet e interesit dhe ekspertë të fushës.

9. DHE, MBI TË GJITHA: sensibilizim, ndërgjegjësim dhe edukim i popullsisë me dashurinë për trashëgiminë kulturore, me kujdesin e përditshëm për monumentin dhe vlerën kulturore! Kjo do të thotë aktivitet dhe punë e përditshme me shkollat, me banorët, me të rinjtë, me autoritetet lokale. Ata duhet të jenë pjesë e aksioneve kulturore, duhet t'i jetojnë monumentet si hapësirë ku jetojnë dhe jo si dekor i pandjeshëm. Të gjitha nismat, siç është ajo e MK për krijimin e rrjetit "Miqve të Monumentit", dhe nismat që i shërbejnë këtij edukimi do të kenë mbështetjen parësore të Ministrisë së Kulturës dhe do të jenë pjesë e programit të qeverisë "Edukimi përmes Kulturës".

Të rejat e fundit
17.12.2013

Misioni

më shumë
Misioni
17.12.2013

Misioni

më shumë