Postuar më: 17 Dhjetor 2013

Misioni

Ministria e Kulturës, në përputhje me drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore dhe me programin e Këshillit të Ministrave, ushtron veprimtarinë e saj në këto fusha përgjegjësie shtetërore:
- Harton, programon dhe zhvillon politikat kombëtare te kulturës, të trashëgimisë kulturore, materiale dhe shpirtërore, të rritjes së tolerancës fetare e të dialogut kulturor dhe integrimit kulturor në familjen, evropiane dhe botërore, në përputhje me programin e qeverisë së Republikës së Shqipërisë .
- Harton dhe bashkërendon punën për politikat në fushën e artit e të kulturës nëpërmjet edukimit të popullsisë, rijetësimit të vlerave dhe trashëgimisë kulturore, nxitjes së investimeve, publike dhe private, në këta sektorë, monitorimit te mënyrës së përdorimit të fondeve publike në mbështetje të zhvillimit kulturor, edukimit në kulturë, mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, ruajtjes dhe vijimësisë së traditës së harmonisë fetare në kulturën shqiptare, si dhe të bashkëpunimit rajonal.
- Harton politikat, mbrojtëse dhe promovuese, për trashëgiminë kulturore, materiale ose shpirtërore, si dhe krijon hapësirat e nevojshme, ligjore e mbështetëse, për ruajtjen e kultivimin e kulturës së shkruar, për krijimtarinë artistike nëpërgjithësi, si dhe për të promovuar arritjet e kulturës shqiptare e për të rritur konkurrencën e produktit shqiptar kulturor përtej kufijve.
- Harton politika për ekzistencën e Shqipërisë si një partner aktiv në organizatat ndërkombëtare, evropiane dhe rajonale, në fushën e artit e të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore, nëpërmjet aderimit në institucionet përkatëse.
- Udheheq, programon dhe mbështet veprimtaritë, kombëtare e ndërkombëtare, me qëllim identifikimin dhe zhvillimin e tendencave kulturore, artistike dhe letrare, brenda vendit, si dhe përfshirjen e ballafaqimin e vlerave më të mira kombëtare me ato rajonale, si ato të trashëguara dhe ato bashkëkohore dhe për krijimin e një hapësire dialogu mbarëshqiptar dhe të diversitetit kulturor.
- Nëpërmjet strukturave të varësisë realizon regjistrimin, mbikëqyrjen dhe monitorimin e respektimit të të drejtave të autorëve dhe të të drejtave të tjera, të lidhura me të, nga subjektet, persona fizikë/juridikë, privatë a publikë, përdorues të pronësisë letrare, artistike e shkencore.
- Kryen funksione dhe veprimtari të tjera në përputhje me ligjin.